Lënda narkotike u bllokua nga policia në një kamion dhe kishte si destinacion Italinë

Policia e Durrësit sekuestroi mbrëmë 300 kg drogë në port. Burimet e policisë bënë të ditur se, lënda narkotike e llojit kanabis sativa u gjet në një kamion, i cili do të udhëtonte drejt Barit me tragetin e linjës. Operacioni është organizuar nga Policia e Durrësit në bashkëpunim me Policinë Kufitare. Gjatë kontrollit të ushtruar në një kamion që kishte si destinacion Italinë, policia ka zbuluar plot 300 kg drogë.

e ditur se policia ka vënë në pranga drejtuesin e kamionit si posedues të lëndës narkotike, por identiteti i tij nuk bëhet ende i ditur për arsye hetimore. Kamioni me sasinë e lëndës narkotike u bllokua, teksa po ngjitej në tragetin e linjës Durrës-Bari, duke ndërprerë kështu edhe trafikimin e saj drejt shtetit fqinj. Ky është aksioni i dytë, brenda një harku të shkurtër kohor, ku forcat e policisë bllokojnë një sasi të konsiderueshme droge. Para tre javësh u sekuestruan rreth 800 kg kanabis sativa në Portin e Durrësit. Sasia e madhe prej 797 kg drogë e llojit Canabis Sativa u bllokua në një kamionçinë që po ngjitej në një nga tragetet e Portit të Durrësit dhe kishte për destinacion Italinë. Policia bëri të ditur se, droga u gjet në automjetin kamionçinë me targë AA 708 CC. Policia saktësoi se, në operacionin e mirorganizuar u arrestua në flagrancë drejtuesi i kamionçinës, me të cilën po transportohej lënda narkotike, 33-vjeçari R.F, banues në Durrës. 33-vjeçari u kap në pikën e kontrollit të mjeteve të Portit Detar në orën 21.00 të së hënës, duke tentuar të udhëtojë në drejtim të Italisë me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari. Ai po drejtonte automjetin e tij tip kamionçinë “Benz”, me targa AA 078 CC. Gjatë kontrollit të automjetit u sekuestrua sasia prej 796 kg e 700 gr lëndë narkotike e llojit Canabis Sativa. Droga, sipas policisë, ishte e ndarë në 427 pako me peshë 1,3 dhe 5 kg secila. Mediat e huaja kanë vlerësuar, atëherë këtë operacion si mjaft të suksesshëm të policisë shqiptare. Kështu, media franceze, “Le Figaro” i referohet komunikatës së Policisë së Shtetit, që deklaroi të hënën sekuestrimin e ngarkesës prej 797 kg Canabis Sativa në Portin e Durrësit, 45 km në Veriperëndim të kryeqytetit Tiranë. Sipas medias franceze, droga ishte fshehur në një kamionçinë, e cila do të udhëtonte drejt Italisë, në një nga tragetet e linjave Durrës-Bari. Po kështu, në Sarandë, një qytet i pozicionuar 300 km në Jug të Tiranës, u zbuluan nga Policia e Antidrogës rreth 300 kg Canabis Sativa, të fshehura nën një shtresë të dyfishtë të një kamionçine, që ishte nisur me një destinacion fundor, Greqinë. Në dy operacionet në fjalë, ranë në prangat e policisë dy trafikantë droge, të cilët akuzohen për trafik ndërkombëtar droge.

SHPËRNDAJE