Këshilli gjithëkombëtar nga Sanxhaku, i përkrahur edhe nga pjesa tjetër e bashkësisë së myslimanëve, ka miratuar “Deklaratën kundër diskriminimit në Sanxhak”. Në këtë deklaratë, të aprovuar nga bashkësia politike dhe fetare boshnjake, i bëhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të mbrohen të drejtat themelore dhe politike të të gjithë boshnjakëve të Ballkanit.

Novi-Pazar, 12 shtator/ AIK-Pressheva Jonë

Ata kanë paralajmëruar se në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre nga Beogradi, do të pasojnë protesta dhe lëvizje të padëgjueshmërisë qytetare. Këshilli ka bërë të ditur nëpërmjet kësaj deklarate se do të hapen zyra përfaqësuese boshnjake në Washington, Bruksel, Sarajevë dhe Stamboll, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të boshnjakëve. Këshilli ka thënë se Beogradi tregohet i padrejtë ndaj të gjitha bashkësive etnike joserbe në Serbi dhe se politikat e Beogradit zyrtar janë armiqësore. Pjesëmarrësit kanë kundërshtuar politikat serbe, siç kanë thënë ata, që kanë për qëllim sllavizmin e fëmijëve boshnjakë të Sanxhakut.

Këshilli më parë ka themeluar edhe Akademinë e Shkencës dhe Arteve në Novi-Pazar. Krahina e Sanxakut kishte shpallur një referendum në vitin 1991 për status autonomie brenda Serbisë, por autoritetet serbe kurrë nuk e kanë njohur rezultatin e tij. Në krahinën e Sanxhakut jetojnë rreth 200 mijë persona, pjesa dërrmuese janë boshnjakë, ndërkaq bashkësia e dytë dhe e tretë janë malazezët dhe serbët.  “Nga krerët e Bashkësisë Islame kërkojmë miratimin e fatasë, përmes të cilës do të theksohej rëndësia e mësimit të fesë në rrethanat ekzistuese. Veprimi i ministrive kompetente, drejtorive shkollore dhe drejtorëve të shkollave kundër mësimit të fesë është akt armiqësor ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak”, theksohet në deklaratën kundër diskriminimit.

SHPËRNDAJE