Aleatët e NATO-s e kanë emëruar të mërkurën kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si shefin e ardhshëm të NATO-s, njoftoi aleanca ushtarake.
Emërimi i Ruttes u bë formalitet pasi rivali i tij i vetëm për këtë post, presidenti rumun Klaus Iohannis, njoftoi javën e kaluar dorëheqjen nga gara, pasi kishte dështuar të siguronte mbështetje.
Rutte do ta marrë detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të aleancës ushtarake nga 1 tetori 2024, kur i mbaron mandati shefit të tanishëm Jens Stoltenbergut, tha ajo.
Lidhjet e Mark Ruttes me Kosovën ndër vite
Te Mark Rutte autoritetet në Kosovë shohin një partner me të cilin mund të bisedojnë për një gamë të gjerë çështjesh – nga avancimi i vendit në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian deri te siguria dhe stabiliteti afatgjatë.
Vizitën e fundit në Kosovë Rutte e zhvilloi korrikun e kaluar, kur së bashku me homologun e atëhershëm nga Luksemburgu, Xavier Bettel, i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulnin tensionet dhe t’i ktheheshin dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Presidentja e Kosovës, Osmani, takoi për herë të fundit Rutten javën e kaluar, në margjina të një samiti për paqen në Ukrainë, që u mbajt në Zvicër.
“Samiti ishte një mundësi e shkëlqyer për të biseduar me kryeministrin holandez, Mark Rutte, për rëndësinë e së ardhmes euroatlantike të Kosovës”, shkroi Osmani në X.