Një fenomen interesant në Kosovën e pasluftës ka qenë se puntorët, staf civil, nëpër institucione publike sado që me paga të vogla, kanë bërë jetë mbi mesataren e shoqërisë. Një dukurie të tillë, shoqëria ia pati vënë një emërtim apo mënyrë se si e kanë quajtur si “rrogë e vogël, fitim i madh”. Pra, saher është dëgjuar kjo fjali, në mend të ka rënë një punëtor, staf civil në institucione publike, i cili përveq detyrave të parashkruara me ligj, ka bërë edhe “ekstra shërbime”, duke i shkelur detyrat e parashkruara me ligj, për cka zakonisht është shpërblyer nga ai për të cilin ka kryer shërbime.

 

Pa dashur aboslutisht të drejtojmë gishtin konkret në një individ të caktuar, ajo që po ndodhë sot në disa komisione të MKRS-së është absolutisht e pashpjegueshme. Për kë punojnë persona të cilët për detyrë e kanë të ndihmojnë sportin (pra detyrë e parashkruar me ligj), e në fakt punojnë kundër sportit (ngjallen dyshime, sa është fitimi?!).
Parlamenti i Republikës së Kosovës ka aprovuar vite më parë ligjin absolutisht fantastik për sponzorizimin e sportit në vendin tonë, por, komisionet të cilat janë të themeluara për t’u shëryer klubeve, pra për tu lehtësuar në procedura, po e bëjnë pikërisht të kundërtën.

Sot kemi shumë klube sportive të cilat po vuajnë për mbijetesë, e disa të tjera po e kanë të pamundur të arrijnë targetet të cilat ia kanë vënë kusht vetes, pa mjetet e sponzirizimit në të cilat pra kanë llogaritur, e të cilat nuk po arrijnë të i marrin, e për cka përgjegjës janë pikërisht njerëz të papërgjegjshëm, që mesa duket brenda MKRS-së janë bërë si ai “Polici me radar privat”, pra ajo shakaja që tregohet për ëndërrën e cdo polici që të ketë një radar privat, mesa duket punëtorët brenda Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e kanë realizuar.

Dikush duhet të dalë e të flasë, pse po bllokohen procedurat për përfitimi nga ligji i sponzorizimit, kush qëndron prapa kësaj trysnie që po i bëhet klubeve. Jo pa arsye po e themi trysni, pasi që kemi argumente se në fillim e patën shpikur ndalesë, me të cilën thonin se pa u licensuar Federata e Futbollit të Kosovës, klubet nuk mund të përfitojnë nga Ligji i Sponzorizimit, tash FFK është e licensuar, ku qëndron problemi?

Dikush, me gjasë në ato komisione e ka “rrogën e vogël, e fitimin e madh”, por duhet që të heqin perden e zezë nga sytë që ua ka terruar vizionin për të mirën e vendit, fundja duhet të jemi të vetëdijshëm se askush në asnjë detyrë nuk është i përhershëm, le të lëmë një vepër të mirë që nesër kur të kthejmë kokën prapa e njerëzit të na bëjnë atë pyetjen e famshme “Nëse e takon veten në kohë prapa, a e kishe lavdru a e kishe pshty”, të mos hezitojmë e të mos turpërohemi nga përgjigja.

SHPËRNDAJE