Në intervistën e parë si President i ri i Republikës, z.Bujar Nishani zbardhi mbrëmë në “Opinion”, orët që e çuan nga Ministria e Brendshme drejt Presidencës. Z.Nishani u shpreh se do të bashkëpunojë me opozitën e majtë dhe se do të qëndrojë jashtë palëve, me garancinë se do të jetë zbatues i Kushtetutës së vendit.
Z.President, e prisnit apo ishte rastësi kandidimi juaj?
Jo, nuk e kam pritur. Ne zhvilluam një mbledhje të grupit parlamentar paradite, ku akorduam të gjithë për Hoxhën.
E menduat se është i vështirë kalimi nga Ministria e Brendshme në Presidencë?
Kjo është një çështje që ka të bëjë me integritetin e individit. Natyrisht, gjatë rrugës gjithsecili mbetet me sfidat të cilat duhet të përballë. Kështu që, nuk mendoj se ka ndonjë kontradiktë kalimi nga Ministria në Presidencë, e cila është vërtet një sfidë.
Vendimin e morët vetë, apo pyetët dhe familjen?
Nuk kam pasur kohë të gjatë për t’iu kthyer përgjigje krerëve të partive, por duke pasur parasysh karrierën time jo me pak sfida, si Ministria e Drejtësisë, nuk pata dyshim që do të kisha mbështetjen e familjes.
I zgjodhët vetë studimet ushtarake?
Nuk ka qenë një zgjedhje me dëshirë. Kam kërkuar të studioja për frëngjisht, por nuk m’u dha kjo e drejtë dhe shkova për studime ushtarake. Kam përfunduar me rezultate të larta. Familja ime, nga babi është nga Libohova, janë detyruar të shpërngulen nga Gjirokastra në Durrës ku kam lindur.
A keni qenë pjesëtar i ngjarjeve të Shkollës së Bashkuar në ’91-in?
Natyrisht, kam qenë pedagog në atë kohë dhe kam përjetuar një situatë tepër të vështirë, pasi një grup studentësh u pozicionuan kundër lëvizjes. Jam takuar me disa nga drejtuesit e PD-së së asaj kohe. Atëherë bëja jetën e një beqari në një nga godinat e shkollës dhe çdo ditë e gjeja derën të hapur nga kontrollet që më bënin. Kam qenë një ndër aktivët kundër këtij grupi. Në ’97-ën më larguan nga puna nga Ministria e Mbrojtjes, duke më kujtuar atë ngjarje në Shkollën e Bashkuar, ndërkohë që kisha familjen, bashkëshorten dhe djalin e vogël.
Kur keni hyrë në PD?
Në PD jam angazhuar që në fillimet e para. U tërhoqa kur doli ligji për depolitizimin e ushtrisë. Ne nuk ishim staf politik, mbuloja marrëdhëniet me jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes.
Kur jeni njohur me z.Berisha?
Kontaktet e punës kanë qenë kur z.Berisha më propozoi të bëhesha sekretar i degës së Tiranës. Në vitin 2000 kam pasur angazhim të zgjedh dhe më pas kam pasur dhe takime personale.
Jeni Presidenti i 6-të i Republikës i zgjedhur pa konsensus…
Unë besoj më së shumti tek ajo që përfaqëson integriteti i individit që ushtron në detyrë. Në Shqipëri kemi histori të ndryshme në krye të presidencës, por e them me bindje se besoj thellë tek integriteti i individit. Nëse ky individ përfaqëson atë frymë që kërkon Kushtetuta, besoj se procedurat nuk kanë vlerë.
Do të jeni president i të gjithë shqiptarëve?
Njeriu duhet të besoj tek ajo që merr përsipër për të kryer. Kështu që përtej detyrimit, në të vërtetë besoj, sepse iu besoj dhe kushteve në të cilat ndodhet Shqipëria.
A kishit detyrimin që, në momentin që u propozuat të dorëhiqeshit?
Jo, sepse Kushtetuta e ka të përcaktuar qartë kur duhet dhënë dorëheqja. Megjithatë, unë ia kam paraqitur kryeministrit dorëheqjen nga ministër më përpara.
Nëse nuk do të zgjidheshit president, do ta tërhiqnit dorëheqjen nga ministër i Brendshëm?
Jo, absolutisht jo. Do t’i rikthehesha jetës në parlament.
Prej kohësh flitet për një problem fizik tuajin, por a mund të na e bëni transparent rastin tuaj, nëse do t’ju lejojë të ushtroni detyrën si kryetar i shtetit?
Së pari, unë besoj në vlerat e një shoqërie të civilizuar dhe jo të individëve të caktuar. Është e vërtetë që kam pasur një ndërhyrje kirurgjikale tre vjet më parë, për një defekt të enëve të gjakut. Jam operuar në mënyrë profesionale dhe në një nga klinikat më mira evropiane. E vetmja mangësi është që nuk mund të vrapoj.
A ju pengon të ushtroni detyrën e presidentit?
Unë kam ushtruar punën e ministrit të Brendshëm dhe nuk më ka penguar. Si ministër kam lëvizur në çdo kohë, dhe pa asnjë pengesë, por s’mund të vrapoj.
Keni marrë mesazh urimi nga z.Rama?
Kam pasur mjaft telefonata nga deputetë të PS-së, drejtues lokalë të saj, por jo nga z.Rama.
Cilat kanë qenë raportet tuaja me z.Rama?
Kam pasur disa kontaktime me telefon, për shkak të shqetësimit të tij për listat dhe ministria që drejtoj ishte menaxhuese. Ai kërkonte informacion.
Z.Rama ka vlerësime për ju; këtë e ka shprehur në një editorial të tij kohë më parë…
Nuk kam pasur kontakte përveç rastit të listave. Ndoshta jemi përshëndetur në ndonjë pritje, por gjithsesi mua më vjen mirë që Rama beson në vlerat e individit.
Keni kontaktuar me Presidentin aktual?
Jo, nuk kam kontaktuar, nuk më ka telefonuar dhe nuk kam marrë ndonjë mesazh. Ndoshta ka bërë ndonjë njoftim shtypi.
Opozita ka qenë një kundërshtare e juaja, por duhet t’ju shohim si simbolin e zbatimit të Kushtetutës…
Ajo që shoh tek presidenti është të qëndrojë jo mbi palët por jashtë palëve. Besoj se kjo do të më ndihmonte dhe mua në punën si president.
Do të jetë vizita juaj e parë si president, në Kosovë?
Do të jetë prioritet dhe kënaqësi e veçantë.
Në një moment të caktuar, a do të jeni i aftë ta kundërshtoni kryeministrin nëse e gjykoni se keni të drejtë?
Padyshim.
Edhe forcat politike?
Absolutisht. Eksperiencat që kam grumbulluar më kanë ndihmuar. Unë besoj në dedikimin ndaj lirisë, integritetin e tij; them se është forcë që kapërcen çdo gjë.
Ku do të jetoni pasi të merrni detyrën e presidentit?
Do të zbatoj të gjitha rregullat që do të më përcaktojë protokolli i shtetit dhe nuk do t’i anashkaloj ato. Aktualisht banoj në banesën time.
Si e vlerësoni punën e presidentit aktual, ndaj të cilit mazhoranca ka qenë shumë kritike?
Nuk ia lejoj vetes të drejtoj kritika ndaj presidentit që është në detyrë.
Ku jetoni aktualisht?
Vazhdoj të banoj në apartamentin tim në zonën e Selitës.
Jeni i pasur?
Për fat të mirë familja e bashkëshortes është familje tregtarësh të dëgjuar, trashëgimtare e njërit prej nënshkruesve të pavarësisë Qemal Bej Elbasanit. Kanë trashëguar prona të konsiderueshme. Por edhe në Durrës familja e saj ka qenë ndër tregtarët e dëgjuar, kemi pasur përfitime nga rikthimi i pronave.
A keni lidhje me Omer Nishanin?
Unë jam me origjinë nga Libohova dhe nuk kam asnjë lidhje me të.
Kishte deputetë brenda PD-së që nuk donin kandidimin tuaj si president?
Jo, përkundrazi jam ndjerë shumë mirë kur kam ndjerë një dashamirësi të kolegëve të mi, përveç emocioneve.
A pati një përplasje mes jush dhe znj.Topalli, për faktin se emri i saj ishte lakuar si presidente?
Ka qenë një nga mbështetëset e mia kryesore. Do të doja të ishte ajo dhe do ta votoja me kënaqësi. Ajo ka qenë një mbështetëse e imja, që në momentin që më kandiduan.

SHPËRNDAJE