Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua me drejtoreshën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, në selinë e këtij institucioni në Washington.
Presidentja Jahjaga theksoi se ndihma e FMN-së për Kosovën ka qenë dhe vazhdon të jetë e rëndësishme dhe programet e këtij institucioni financiar, së bashku me ato të partnerëve të tjerë, kanë mundësuar arritjen dhe zbatimin e projekteve të rëndësishme për vendin si dhe qëndrueshmërinë financiare.

Ajo tha se nënshkrimi i marrëveshjes stand by me FMN-në do të ndihmojë në përkrahjen e programeve ekonomike të Kosovës që do të mundësojë qëndrueshmërinë fiskale duke mbështetur mekanizmat dhe politikat e nevojshme, thuhet në njoftim.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova po tregon përkushtim në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga marrëveshjet me FMN-në dhe me të gjitha institucionet e tjera financiare ndërkombëtare dhe gjithashtu po dëshmon stabilitet fiskal. Ajo tha se mbështetja e vazhdueshme e FMN-së për Kosovën është e rëndësishme për të rritur zhvillimin ekonomik të vendit dhe për të krijuar mjedis më të favorshëm për investime.

Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës kanë treguar përkushtimin e tyre duke krijuar kuadrin e nevojshëm ligjor dhe politik që mundëson procesin e përmbylljes së fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë. Ajo tha se institucionet e vendit kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm edhe në miratimin e ligjit për bankat dhe mikrofinancat.

Presidentja Jahjaga dhe Lagarde biseduan edhe për konferencën ndërkombëtare për rolin e gruas në shoqëri, që do të mbahet në Prishtinë.

Drejtoresha e FMN-së, Christine Lagarde duke e mirëpritur vizitën e presidentes Jahjaga në selinë e institucionit që drejton, tha se FMN-ja dhe Kosova po shënojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme.

Ajo tha se Kosova në aspektin teknik është në pozitën më të mirë në Ballkan dhe ka treguar disiplinë institucionale. Ajo theksoi se FMN-ja do të vazhdojë ndihmat për Kosovën në projekte të ndryshme dhe u interesua edhe projektet në fushën e energjetikës.

Lagarde theksoi se nismat rajonale janë të rëndësishme meqë do të mundësonin zhvillimin e gjithë Ballkanit Perëndimor, thuhet në njoftimin e Presidencës.

SHPËRNDAJE