Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të shtetit, Filip Riker, ka deklaruar sot se Serbia duhet ta pranoj realitetin dhe kompromiset lidhur me Kosovën, ndërsa liderët e saj nuk duhet të jenë të burgosur të së kaluarës.

Këto komente ai i bëri në Sofje të Bullgarisë, në një tubim për integrimin e rajonit të Ballkanit.

Zoti Riker tha se SHBA dhe BE kanë vizion të përbashkët të integrimit të rajonit të Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian dhe se situatën në Ballkan nuk e përcaktojnë më në atë masë fuqitë e mëdha, aq sa liderët lokalë.

“Shumë gjëra varen nga vetë aktorët, ne nuk mundemi çdoherë në emër të tyre t’i zgjidhim problemet. Por, duhet të kujdesemi që porositë tona të jenë unike”, tha Filip Riker, duke e theksuar rëndësinë e kompromisit, të cilin aktorët lokalë në Ballkan nuk guxojnë ta përjetojnë si kapitullim.

Nga ana tjetër, Nikollaus Llambsdorf, nga ministria e jashtme gjermane, tha se kandidatëve për pranim në BE duhet tu tregohet hapur se çka pritet nga ata dhe në këtë aspekt, ka theksuar se presidentit të ri të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, më 14 qershor në Bruksel, duhet t’i thuhet hapur se çka pritet nga ai.

Ai theksoi se Beogradi duhet t’i plotësoj marrëveshjet, pasi deri tash Beogradi nuk ishte i gatshëm për t’i plotësuar marrëveshjet.

Mëtutje, zoti Llambsdorf tha se në ushtarët gjermanë në Kosovë qitet me armë, se komandantin gjerman të KFOR-it “e krahasojnë me Hitlerin”, ndërsa në Beograd “askush nuk reagon në këto” gjëra.

SHPËRNDAJE