Në raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij mbi Indeksin Botëror të Lirisë së Medias 2023, Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, pozita e të cilit u përkeqësua për këtë vit, duke u renditur në vendin e 91-të nga 180 vende.

Në raport thuhet se mediet pro-qeveritare në këtë vend po përhapin propagandë dhe dezinformata ruse dhe se Serbia ka shënuar rënien më të madhe në Ballkan dhe vetë Bashkimin Evropian (BE), me 12 pikë.

“I ndaluar nga vendet e BE-së si pjesë e sanksioneve të vendosura në përgjigje ndaj agresionit ushtarak rus në Ukrainë, kanali televiziv propagandistik rus RT (Russia Today), në nëntor 2022 ka hapur kanalin në gjuhën serbe, të quajtur RT Balkan”, thekson raporti.

Shqipëria është në vendin e 96-të, e ndjekur nga Bosnjë e Hercegovina në vend të 64, Kosova në pozitë të 56, Mali i Zi në atë të 39 dhe Maqedonia e Veriut e 38-ta, derisa Kroacia është e 42-ta në renditje.

Po ashtu, thuhet se gazetarët serbë u nënshtrohen rregullisht sulmeve politike të nxitura nga zyrtarë të elitës në pushtet.

“Në një klimë shumë të polarizuar politike, gazetarët u nënshtrohen rregullisht sulmeve politike të nxitura nga anëtarë të elitës në pushtet, të cilat përforcohen nga rrjetet televizive me frekuencë kombëtare. As politikanët dhe as institucionet, përfshirë Autoritetin Rregullativ i Medieve Elektronike (REM), i përbërë kryesisht nga individë të emëruar nga pushteti, nuk kanë qenë të gatshëm të korrigjojnë situatën. Përveç kësaj, gazetarët kritikë ndaj partisë në pushtet kanë kufizuar qasjen në intervistat me përfaqësuesit e qeverisë”, thuhet në këtë indeks.

Në kontekstin ekonomik, pjesa më e madhe e medieve në Serbi i nxjerrin të ardhurat nga reklamat që subvencionohen nga paraja publike.

“Pjesa më e madhe e medieve i nxjerrin të ardhurat nga reklamat dhe subvencionet e paqarta të parasë publike. Qasja në të dyja është kryesisht e kontrolluar nga elita në pushtet dhe i nënshtrohet anësisë së publikimit”, citohet në raportin e Reporterëve pa Kufij.

Lidhur me sigurinë, gazetarët në Serbi janë ende larg ndjenjës së mbrojtjes.

“Gazetarët serbë janë ende larg ndjenjës së mbrojtjes. Kjo përforcohet nga fakti se shumë sulme serioze ndaj gazetarëve mbeten të pazgjidhura, siç ishte vrasja e Slavko Quruvija në vitin 1999″, përfundon raporti.

Aty thuhet se Kremlini ka krijuar një arsenal të ri mediatik kushtuar përhapjes së mesazhit të Moskës në territoret që ka marrë nën kontroll në jug të Ukrainës dhe ka marrë masa të pashembullta për të goditur medien brenda Rusisë. Censura sistematike dhe eksodi i detyruar i medieve të pavarura ruse dhe të huaja kanë krijuar hapësirë për shpërndarjen e propagandës së koordinuar nga media pro-qeveritare.

Në rreth 118 vende, të anketuarit raportuan se aktetët politikë janë të përfshirë sistematikisht në dezinformim masiv ose në fushata propagandistike.

SHPËRNDAJE