Regjistrimi i popullsisë dhe banesave në Shqipëri, është formuluar në të njëjtën mënyrë me atë të vendeve të Bashkimit Evropian (BE). Kështu u shpreh Peter Everaers, drejtori i marrëdhënieve me jashtë në Institutin Evropian të Statistikave, Eurostat.

Ai vuri theksin në rëndësinë që ka ky proces në integrimin e vendit. Censusi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave nuk është thjesht regjistrim por është një proces i rëndësishëm në kryerjen e politikave zhvilluese të vendit.

Shumë vende të Bashkimit Evropian (BE) e kanë përfunduar censusin dhe kane dalë të dhëna të sakta për çdo shtet. Edhe në Shqipëri është zgjedhur e njëjta metodë regjistrimi me ato të vendeve të Bashkimit
Evropian.

Ky proces është akoma dhe më i rëndësishëm për vendet si Shqipëria që synojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, prandaj të gjithë duhet të bëhen pjesë në mënyrë që të përmbyllet me sukses.

Drejtoresha e INSTAT u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë sa më bashkëpunues në këtë proces.

Duke filluar nga dita e shtunë (sot), 12 mijë anketues në të gjithë Shqipërinë do trokasin në çdo derë për tre jave rresht duke mbledhur të dhënat mbi popullsinë dhe banesat. Në total, për këtë proces janë printuar 1 milion e 200 mijë pyetësorë dhe 200 mijë pyetësorë individualë.

Numri i të punësuarve arrin në 15 mijë persona ndërkohë që vlera totale e projektit arrin në afro 14 milion euro.

SHPËRNDAJE