Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se zbatimi i Marrëveshjes dhe i Aneksit të dakorduar mes Kosovës e Serbisë është e rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor.

Në një postim në platformën X. Rama ka shkruar të hënën se nuk mjafton vetëm njohja e Marrëveshjes “që është ligjërisht e detyrueshme”.

“Ndërsa i afrohemi takimit të Këshillit Evropian të 21 marsit, është thelbësore të kujtojmë se zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Aneksin e saj Zbatues, është i një rëndësie të madhe për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor. Nuk mjafton vetëm njohja e Marrëveshjes që është ligjërisht e detyrueshme”, ka shkruar ai në X.

Por, kryeministri Rama ka thënë se për të arritur progres, është e domosdoshme që Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit të përfshihen zyrtarisht si pjesë e proceseve për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij se për çdo vonesë në këtë proces, vetëm e përkeqëson situatën dhe rrezikon sigurinë e stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Për të siguruar progres, Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë përbërëse e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian. Çdo vonesë për ta bërë këtë vetëm e forcon status-quonë. Dhe status-quoja në lidhje me këtë çelës strategjik për një fqinjësi paqësore, të begatë dhe evropiane në mes të Evropës nuk i shërben sigurisë së vetë Evropës”, ka shkruar tutje Rama.

Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

SHPËRNDAJE