Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Preshevë, Ragmi Mustafa flet për idenë e bashkimit me Kosovën të tre komunave autoktone shqiptare. Sipas liderit preshevar, Thaçi dhe Hardinaj punojnë të dy për Kosovën, pavarësisht rivalitetit që kanë.   

Erjon Dervishi

Bashkëpunimi i partive politike shqiptare në Kosovës, shikohet si një mundësi progresi, për të arritur atë që është më e rëndësishme, bashkimi me Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Marrja në konsideratë e referendumit të vitit 1992 në Luginën e Preshevës, është një projektet e përfaqësuesve të kësaj Lugine. Por pengesa kryesore është Serbia. Politika e saj jo-favorizuese në dëm të Luginës së Preshevës, ka bërë që atje të ketë një mungesë investimi, në infrastrukturë, spitale dhe arsimore. Ish-Kryetari i Komunës së Preshevës dhe tani Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, flet për gazetën “Shekulli”. Bashkëpunimi me Kosovën, mbetet kyçe për integrimin e Luginës së Preshevës brenda kufijve territorial shqiptar. Për këtë arsye, ideja e shkëmbimeve territoriale midis Kosovës dhe Serbisë, është një ide e mbështetur në radhë të parë nga liderët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Parë kjo në një këndvështrim të ri, rezulton se ndërprerja e kësaj ideje, mund të ketë një efekt negativ tek popullsia e Luginës së Preshevës.

Intervista e plotë:

Mustafa, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është i vendosur në qëndrimin e tij për taksën ndaj Serbisë, edhe pas reagimit të Ambasadës Amerikane. Si e shikoni ketë situatë?

Taksa e vendosur në shkallën prej 100% ndaj mallrave që hyjnë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina në Kosovë fillimisht ka pasur pëlqimin e SHBA-ve, prandaj nëse të njëjtit kërkojnë që e njëjta të suspendohet përkohësisht, kujtoj se duhet respektuar. Shqiptarët janë më me fat në botë që kanë në krahun e tyre një superfuqi botërore si SHBA, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që të humbim mbështetjen e tyre. Nga ana tjetër, me suspendim të përkohshëm të taksës ndaj mallrave të Serbisë e të Bosnje e Hercegovinës u jepet mundësi e shtuar bisedimeve mes dy shteteve fqinje me qëllim të arritjes përfundimtare të marrëveshjes së pritshme mes dy popujve dhe ecjes së Kosovës drejt integrimeve Euro-Atlantike.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, është në një moment tepër të rëndësishëm, duke kërkuar që të marrë një rol kryesor në lidhje me procesin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërsa kryeministri shfaqet si një protagonist dhe kritik i vendosur. A mund të ndikojë kjo në ecurinë e procesit të dialogut?

Presidenti Thaçi jo që po kërkon rol të rëndësishëm në këtë fazë por ai kishte gjer tani dhe do të ketë rolin e tij të pazëvendësueshëm në bazë të Kushtetutës së republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Nuk ka dyshim se tani më presidenti Thaçi me përvojën e tij në luftë e më vonë për njëzet vite në politikën paqësore në rajon dhe gjithmonë i këshilluar nga SHBA-të, ka arritur një profil politik të përmasave botërore. Roli i presidentit Thaçi në këtë fazë, por edhe fazat tjera që presin Kosovën, në bisedimet Prishtinë-Beograd është i pazëvendësueshëm gjithmonë në të mirë të Kosovës. Rivaliteti ndërmjet Haradinajt e Thaçit është normal dhe i takon rrafshit të demokracisë. Përfundimisht që të dy janë në funksion të më të mirës për Kosovën.

A qëndron përsëri në agjende bashkimi i Luginës me Kosovën, apo ne dritën e zhvillimeve të fundit, ky projekt po lihet mënjane?

Bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën, është në agjendën jo vetëm të presidentit Hashim Thaçi, por edhe në agjendën amerikane dhe atë të Bashkimit Evropian. Prandaj, duke qenë se edhe Lugina e Preshevës është shqiptare, kemi mikun e përbashkët Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga kjo, edhe njëherë konfirmoj se ky regjion tre komunash në lindje të Kosovës i banuar me shqiptar autokton dhe i administruar padrejtësisht nga Serbia, në këtë proces mes Kosovës e Serbisë është në agjendën e bisedimeve dhe me procesin e demarkimit të kufirit mes dy shteteve fqinje do hyjë në total si pjesë integrale e territorit të Republikës së Kosovës. Edhe një pjesë e shqiptarëve autokton fatmirësisht do të lirohen nga okupimi shekullor serb.

Çfarë politike është duke ndjekur në këto momente, Lugina e Preshevës dhe Buajnocit, për sa i përket projektit për të mbështetur bashkimin me Kosovën?

Politika e vazhdueshme e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, në kohë që nga referendum i 1 e 2 marsit të vitit 1992 e këtej është që njëherë e përgjithmonë të bashkohen me Kosovë. Kjo nuk do të thotë se shumë gjenerata shqiptarësh nga këto tre komuna shqiptarësh autokton që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë 1912 e këtej kanë qëndruar duarkryq! Në çdo moment kohor kur janë definuar kufijtë ndërmjet popujve në ish-Jugosllavi, shqiptarët e kësaj zone kanë kërkuar bashkimin me Kosovën dhe Shqipërinë. Kjo kërkesë e jona në përmbyllje të bisedimeve Kosovë-Serbi është trashëgimi kërkesash të të parëve tanë dhe gjithë dëshmorëve të kombit të rënë ndër luftëra të shkuara që nga viti 1912 e këtej, pas largimit të perandorisë Turke.

Mustafa: Raportet e Luginës me Serbinë nuk janë të mira

Një nga problematikat, e cila është kyçe për fatin e vetë Luginës së Preshevës është edhe marrëdhënia e saj me Serbinë. Prej kohësh Serbia, ka bërë projekte të cilat bien ne kundërshtim me zhvillimin ekonomik të kësaj krahine. Duke qenë e banuar me shqiptarë, Lugina e Preshevës është një nga më të goditurat nga politika e Beogradit. Gjatë intervistës, Ragmi Mustafa, e vë theksin tek standardi i dyfishte që ka kjo politikë e ndjekur nga Serbia. Ajo përpiqet thjesht të fitojë bashkëpunimin e Bashkimit Evropian, por në të vërtetë politika e saj nuk ka ndryshuar.

Si janë marrëdhëniet e Luginës me Aleksandar Vuçiç? Po lideret e Luginës a kanë pasur kontakte apo takime me liderët e Serbisë?

Raportet e Luginës së Preshevës me presidentin Vuçiç nuk janë të mira, të besueshme, por as të qëndrueshme. Edhe politika e presidentit Vuçiç në raport me shqiptarët, fatkeqësisht është serbe edhe pse përpiqet që me makijazhet e tij t’i paraqes Evropiane!

Për sa i përket qasjes së Politikës së Jashtme të Shqipërisë, në lidhje me Kosovën, si e shikoni angazhimin e saj dhe a mendoni se Edi Rama ka në ide ndarjen e Kosovës, bashkërisht me Thaçin-Vuçiç? Po në lidhje me largimin e Ditmir Bushatit nga posti i Ministrit të Jashtëm, çfarë komentesh keni. A mendoni se ai ishte një pengesë për ndryshimin e kufijve të Kosovës? Si e shikoni afrimin e Gent Cakaj në Ministrinë e Jashtme Shqiptare?

Në këtë periudhë kohore të përmbylljes së bisedimeve Prishtinë-Beograd, politika e jashtme e Shqipërisë është plotësisht sinkrone me atë të Kosovës. Një gjë e tillë, jo që është e nevojshme në këtë kohë, por edhe e domosdoshme. Prandaj, kryeministri Edi Rama dhe presidenti Thaçi nuk janë për të ndarë Kosovën, por përkundrazi duke bashkuar Luginën e Preshevës të ndajnë Serbinë nga tokat autoktone shqiptare të okupuara padrejtësisht, pikërisht Preshevën, Medvegjën e Bujanocin. Angazhimi i përbashkët i autoriteteve më me ndikim në Kosovë e Shqipëri si që janë Rama e Thaçi dhe sigurimi i mbështetjes Amerikane, madje dhe asaj të Bashkimit Evropian, me siguri të madhe se do të sjell dobi dhe vetëm dobi për shqiptarët e sidomos atyre të Luginës së Preshevës që do të lirohen përgjithmonë nga thundra e pamëshirshme serbe! Në lidhje me ministrin e Jashtëm, Gent Cakaj, kujtoj se është një veprim i qëlluar dhe i menduar mirë i qeverisë shqiptare që lë të kuptohet se pavarësisht prejardhjes rajonale të shqiptarëve, mund të jenë edhe ministra në qeverinë shqiptare, por gjithmonë në të mirë të Shqipërisë, por edhe trojeve shqiptare. Konsideroj se në këtë rast ka mbizotëruar arsyeja e sistemit të vlerave. Prandaj, ministri i i ri i Jashtëm në qeverinë shqiptare është shqiptar që posedon vlerë, dije, guxim dhe perspektive të qartë euro-atlantike, prandaj është emëruar ministër i jashtëm i Shqipërisë e në fakt është ministër i jashtëm edhe i shqiptarëve jashtë territorit të Shqipërisë e Kosovës aktuale. Ministri i jashtëm shqiptar i kaluar, zoti Bushati, kujtoj se ka kryer detyrat e tij kushtetuese brenda mundësive dhe koncepteve politike që ai ka gjykuar se janë të drejta e më të mira. Por, kjo nuk do të thotë se ministrat, kryeministrat, kryetarët e përgjithësi politikanët kurrë nuk duhen ndërruar. Edhe puna e zotit Bushati si ministër i Jashtëm, kujtoj se ka qenë në funksion të politikës shqiptare!

SHBA kërkon rihapjen e bisedimeve Kosovë – Serbi

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett dhe ai në Beograd, Kyle Scott, përmes një editoriali të përbashkët thanë se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin veprimet që sigurojnë rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe nëse e bëjnë këtë, është e mundur një marrëveshje normalizimi brenda vitit 2019. Në editorialin me titull: “2019-a do të duhej të jetë viti për një marrëveshje”, theksohet se “udhëheqja politike e matur e vizionare mund të çojë te një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, marrëveshje që në thelb e ka njohjen e ndërsjellë”.

Editoriali i plotë:

Guximi dhe kreativiteti i udhëheqësve në Athinë dhe Shkup për ta zgjidhur mospajtimin që zgjati me dekada do të duhej ti frymëzonin të gjithë në rajon.  Si ambasadorë të SHBA-së në Beograd dhe në Prishtinë, jemi të bindur se udhëheqja politike e matur e vizionare mund të çojë te një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, marrëveshje që në thelb e ka njohjen e ndërsjellë. Kjo e arritur do të vinte themelin për të ardhme më paqësore dhe më të begatshme për të gjithë popujt në këtë rajon. Për këtë arsye sot bëjmë thirrje: është koha që Kosova ta pezullojë taksën, që Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive, që të marrin fund provokimet nga të dy anët, që Beogradi dhe Prishtina t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe që të dy palët ta përqafojnë paqen guximshëm. Nëse e bëni këtë, jemi optimistë se mund të arrini një marrëveshje historike për normalizim në 2019-ën. E keni mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju ndihmuar që të keni sukses dhe të ndërtoni besimin e nevojshëm për ta ndërtuar dhe zbatuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Para ca kohësh, Presidenti Trump iu shkroi udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës për t’i nxitur të dy vendet për ta “shfrytëzuar këtë çast dhe për të treguar udhëheqje politike në marrjen e vendimeve që i marrin parasysh interesat e të dy vendeve”. Presidenti Trump shtoi: “Do të ishte jashtëzakonisht për të ardhur keq nëse nuk shfrytëzohet kjo mundësi unike për paqe, siguri dhe rritje ekonomike”. Presidenti Trump ishte po aq i qartë edhe në fjalimin e tij gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara: udhëheqësit e përgjegjshëm e kanë për detyrë t’ju shërbejnë qytetarëve të tyre. Ne besojmë se një marrëveshje është e mundshme dhe shpresojmë të festojmë bashkë me ju, ashtu siç e festojmë guximin e prijësve grekë dhe maqedonas. Në fakt, Presidenti Trump tashmë i ka ftuar Presidentin Vuçiç dhe Presidentin Thaçi në Shtëpinë e Bardhë për të shënuar këtë të arritur sapo të ndodhë.  Shtetet e Bashkuara nuk e caktojnë dhe nuk do të caktojnë se si duhet të duket zgjidhja, por besojnë se duhet të jetë e zbatueshme në Kosovë dhe në Serbi dhe duhet t’i kontribuojë stabilitetin afatgjatë të rajonit. Iu takon prijësve dhe ekipeve të tyre për ti rifilluar bisedimet që udhëhiqen nga BE-ja për të hulumtuar çka është e mundshme dhe për të komunikuar në mënyrë të hapur me qytetarët e tyre-për të siguruar se negociatat pasqyrojnë vullnetin e popullit dhe për t’ju ndihmuar për të tejkaluar ankthin dhe dyshimin. E kuptojmë se kjo nuk është e lehtë. Nuk jemi të verbër përpara ngjarjeve historike dhe tensioneve të vazhdueshme që kanë sjellë te mosbesimi dhe keqkuptimi që e rëndojnë marrëdhënien. Për këtë arsye, çfarëdo marrëveshje duhet të jetë e gjerë dhe e leverdishme për të anët, për t’ju dhënë të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë hise në suksesin e saj. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të punuar me Serbinë dhe Kosovën për të siguruar që të dy anët në mënyrë efektive e ndërtojnë dhe e zbatojnë një marrëveshje jetëgjatë. Hapat e kohëve të fundit të ndërmarrë si nga Beogradi, po ashtu edhe nga Prishtina që ngrenë tensionet duhet të ndalen nëse do të ketë ndonjë shpresë për të mundësuar paqe, mbarësi dhe drejtësi të përhershme në rajon. Nëse të dy anët dështojnë për ta shfrytëzuar këtë mundësi, rrezikoni ta humbisni mundësinë më të mirë në një brez. Status quo-ja ka shkaktuar ngecje të përparimit ekonomik dhe politik në të dy vendet, si dhe ka bërë që profesionistët dhe të rinjtë ta kërkojnë të ardhmen e tyre në vende më stabile me ekonomi më dinamike. Në vend të tyre po zënë rrënjë krimi i organizuar, korrupsioni dhe elementet e tjerë ekstremistë duke kërcënuar sigurinë në rajon dhe në Evropë. Asnjëri vend nuk përfiton nga obstruksionizmi dhe vonesat e vazhdueshme. Qytetarët e Serbisë dhe Kosovës meritojnë të ardhme ku fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve të njohin paqen dhe mbarësinë e jo konfliktin dhe vështirësitë ekonomike. Një marrëveshje kompromisi, e qëndrueshme dhe e zbatueshme, është në interes të të dy vendeve. Stabiliteti dhe mbarësia afatgjatë e Kosovës dhe Serbisë varen në kthimin te dialogu i udhëhequr nga BE-ja dhe guximi për të tejkaluar të kaluarën dhe të për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët së bashku. Nëse Serbia dhe Kosova janë të gatshme për tu nisur në këtë shtegtim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë përkrah jush në çdo hap të rrugës.

SHPËRNDAJE