Në Hagë ka nisur procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit.
Për të mbështetur ish krerët e UÇK-së, janë mbledhur qytetarë të Kosovës që jetojnë në diasporë, të cilët tashmë ndodhën pranë Gjykatës Speciale, ku edhe po kërkojnë lirinë e tyre.
Në mesin e qytetarëve është parë edhe djali i ish kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë. Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.