Qeveria e Kosovës pret që vetëqeverisja lokale në Deçan – komunë në pjesën perëndimore të vendit – ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit, ndërsa Komuna e Deçanit, e cila, gjatë gjithë këtyre viteve e kundërshtoi zbatimin e këtij vendimi, thotë se nuk ka ndryshuar qëndrim.

Kjo komunë udhëhiqet nga zyrtarë të partisë opozitare të Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Zyrtarë të pushtetit qendror dhe lokal, përfshirë edhe kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, përsëritën në disa raste se Gjykata Kushtetuese, me vendimin e vitit 2016, legalizoi një vendim të vitit 1997 të ish-udhëheqësit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, përmes të cilit “toka iu dhurua Manastirit”.

Komuna e Deçanit dhe drejtoritë përkatëse, përfshirë Kadastrën, pretendojnë se kjo sipërfaqe u takon ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë Manastirit të Deçanit.

Edhe pse Qeveria e kryeministrit Albin Kurtit vazhdon ta konsiderojë të padrejtë atë vendim, Radio Evropa e Lirë merr vesh se ajo është duke zhvilluar bisedime me vetëqeverisjen lokale dhe aktorët përkatës, me qëllim zbatimin e tij, përpara sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Kjo justifikohet edhe me “respektimin e sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës”.

Siç merret vesh, Qeveria është e gatshme që ta ftojë publikisht komunën për ta zbatuar “vendimin e dhimbshëm”, me qëllim që të dëshmohet se “Kosova është shtet ligjor”.

Ndonëse “nuk do që ta obligojë komunën” për ta zbatuar vendimin, me shpresën se kjo do të arrihet “në mënyrë të pavarur dhe pa presion”, Qeveria beson se po shkon “në drejtimin e duhur”.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë 6 mars, kryetari i Komunës së Deçanit, Ramosaj, tha se deklaratat e tij për këtë çështje janë publike dhe se nuk dëshiron të shtojë asgjë më shumë.

I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Qeveria e Kosovës kërkon zbatimin e vendimit, ai tha se “nuk beson se Qeveria do ta kërkojë një gjë të tillë”.

Radio Evropa e Lirë pyeti edhe Dioqezën e Rashkës-Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë se a po diskutohet për kthimin e pronës te Manastiri i Deçanit dhe se çfarë pret ajo, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Nga Manastiri i Deçanit i thanë më herët REL-it se ata refuzojnë të kontaktojnë me autoritetet e Kosovës, për shkak të “retorikës së tyre ndezëse politike”, dhe se kryeministri Kurti mund t’i vizitojë ata “vetëm nëse sjell me vete një ekstrakt nga Kadastra e pronës së manastirit, në të cilin do të shihej qartë se toka është regjistruar sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Shtetet e QUINT-it vazhdimisht i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë. Në shtetet e QUINT-it bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në rast se Kosova merr dritën jeshile në Asamblenë e Përgjithshme, atëherë fjalën e fundit duhet ta japë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës – gjë të cilën Qeveria e pret të ndodhë në muajin maj.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Është themeluar më 1949.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe
zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat
brenda juridiksionit të atij shteti./REL

SHPËRNDAJE