Ish-ambasadorja e Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley, e ka pezulluar edhe zyrtarisht fushatën e saj presidenciale të mërkurën, duke i hapur rrugë Donald Trumpit që të jetë i vetmi kandidat republikan dhe për herë të dytë të përballet në garë për president të SHBA-së me demokratin, Joe Biden.

Ajo ka thënë se nuk ndihet e penduar për këtë vendim.

“Tani ka ardhur koha për të pezulluar fushatën time. Thashë se doja që të dëgjoheshin zërat e amerikanëve. E kam bërë këtë. Nuk jam penduar. Edhe pse nuk do të jem më kandidate, nuk do të ndalem së përdoruri zërin tim për gjërat në të cilat besoj”, ka thënë Haley në një fjalim të shkurtër të mërkurën.

Vendimi i Halyet për ta pezulluar garën vjen një ditë pas disfatës së dukshme nëpër disa shtete të SHBA-së gjatë “Super të Martës”.

Haley ka zgjatur më shumë se çdo sfidues tjetër republikan ndaj Trumpit, por kurrë nuk përbënte një kërcënim serioz për ish-presidentin, kontrolli i hekurt i të cilit në bazën e partisë mbetet i fortë pavarësisht padive të tij të shumta penale.

Ripërsëritja e garës ndërmjet Trumpit, 77 vjeç dhe Bideni, 81 vjeç, e para në zgjedhjet amerikane që nga zgjedhjet e vitit 1956, është diçka që pak amerikanë e duan. Matjet e publikut tregojnë se edhe Bideni edhe Trumpo kanë nivele të ulëta të përkrahjes mes votuesve.

Zgjedhjet e nëntorit premtojnë të jenë thellësisht përçarëse në një vend tashmë të përçarë nga polarizimi politik. Bideni e ka cilësuar Trumpin si një rrezik ekzistencial për parimet demokratike, ndërsa Trumpi ka kërkuar të rikthejë pretendimet e tij të rreme se ai fitoi në vitin 2020.

SHPËRNDAJE