Qeveria e Serbisë ka ofruar ndihmë në furnizim me 1000 teste për Covid-19 për Republikën e Kosovës, gjegjësisht për Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë Naim Bardiqi në një email dërguar Ministrit në detyrë, Arben Vitia, Drejtorit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani të cilin e ka siguruar Gazeta Express ka kërkuar që të lehtësohet importi i këtyre testeve në pikën kufitare në Jarinjë. Aty në detaje flitet për donacionin nga Serbia që sipas e mailit do të sillet nga Zyrtari Ndërlidhës i Beogradit në Prishtinë Dejan Paviçeviq.

Në këtë email kërkohet që të caktohet personi përgjegjës nga IKSHPK që të mbetet në kontakt me palën nga Serbia që do të sjellë testet për Covid-19 rreth orës 17:00 në pikën kufitare në Jarinjë. Dje është bërë e ditur se Kosova aktualisht ka vetëm 600 teste te cilat mjaftojnë vetem për 3-4 ditë varësisht nga numri i analizave që bëhen. Ndërkohë që pritet ardhja e 2 mijë të tjerave, por nuk dihet saktë se kur do të ndodhë kjo. Ky donacion nga Serbia vjen një ditë pas telefonates së Vitisë me homologun e tij serb.

Këshilltari Politik i Ministrit Vitia,  Xhevdet Pozhari tha për Gazetën Express se sa i përket ndihmës prej 1000 testeve nga Serbia për koronavirus nuk ka informata.

“Për testet që arrijnë nuk kam informata vetëm ajo që është diskutuar mes ministrave është se janë dakorduar për të ndihmuar njëri tjetrin shtetet e Ballkanit me përvoja dhe ndihma profesionale kjo ka qenë”, tha ai.

Pozhari tha Ministri Vitia ka realizuar biseda me ministrat e shteteve të rajonit dhe kanë vlerësuar duhet të ketë angazhim të përbashkët të gjitha shtetet e ballkanit për ndihmë njëri tjetrit.

“Cka është diskutu mes ministrave të shëndetësisë të shteteve të Ballkanit është  që rrugët e qarkullimit për mallrat, pajisjet mjekësore dhe personelin shëndetësore duhet me qenë të tilla. Se gjendja duhet me u trajtu me përgjegjësi maksimale dhe ndihma duhet të jetë e shpejt dhe reciproke për me e kalu pandeminë shkaku se konsiderojmë që pandemia është e përbashkët dhe gjithashtu sa mundemi me njëri tjetrin të ofrohet ndihma. Në përfundim të takimit janë dakorduar që të ketë angazhim të përbashkët kundër Covid-19”, ka thënë ai./GazetaExpress/

SHPËRNDAJE