Kabineti i Qeverisë së Kosovës organizon akademi përkujtimore për Ibrahim Rugovën në të cilën pritet të marrin pjesë Isa Mustafa, Nexhat Daci e Ukë Rugova etj..

 

 

Prishtinë, 20 janar/ AIK-Presheva Jonë

 

Bashkimi i gjithë elektoratit rugovian dhe atyre që deklarohen se përfaqësojnë frymën dhe filozofinë rugoviane, nuk do të jetë realitet, as në pesë vjetorin e kalimit në amshim të presidentit Ibrahim Rugova.

Por përderisa inati në mes lidershipit të dy partive dhe një fraksioni të ndarë nga LDK-ja vazhdon të mbetet kryeneç, në një njoftim nga Zyra e kryeministrit të Kosovës që po emetohen edhe në RTK, thuhet se nën patronatin e kryeministrit Hashim Thaçi do të mbahet një akademi përkujtimore në pesëvjetorin e shkuarjes në amshim të presidentit Ibrahim Rugova.

Ky njoftim duket se e ka nxënë ngushtë sidomos LDK-në e cila poashtu ka paraparë që të organizojë një akademi përkujtimore në pesëvjetorin e amshimit të liderin historik Ibrahim Rugova.

Por përderisa LDK-ja ka shpërndarë një “ftesë publike” për anëtarësinë e vet dhe thtarët rugovianë, Zyra e kryeministrit ka përgatitur ftesa për të gjithë liderët politikë. Sipas kësaj del se përderisa në ceremoninë e LDK-së do të marrin pjesë vetëm zyrtarët e lartë të LDK-së dhe simpatizantë e kësaj partie, në ceremoninë e organizuar nga kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi pritet që të marrin pjesë të gjithë liderët politikë e institucionalë e në mesin e tyre edhe lideri i LDK-së Isa Mustafa, ai i LDD-së Nexhat Daci dhe lidershipi i Listës dr.Ibrahim Rugova në krye me Ukë Rugovën. Sipas kësaj del se bashkimin që nuk po mund ta bëjnë liderët e këtyre partive politike, po e bën “kundërshtari” më i madh politik i LDK-së por edhe i presidentit Ibrahim Rugova, kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi.

SHPËRNDAJE