Kandidati i Partisë Socialdemokrate për Komunën e Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka hedhur akuza në drejtim të Kadri Rahimajt të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka fituar 50,56 për qind të votave në rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Kastrati me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka akuzuar Rahimajn për, siç ka thënë ai, kërcënime dhe shantazhe ndaj secilit.

“Pushteti aktual, për fat të keq, nuk ka zgjedhur mjete, duke përdorur kërcënime dhe shantazhe ndaj secilit. Jam i bindur se një qasje e tillë nuk i shkon për shtat asnjë politike e asnjë qeverisjeje ndaj qytetarëve të vet”, deklaroi ndër të tjera Kastrati.

Kastrati ka thënë se duhet pritur në numrimin e secilës votë për të kuptuar nëse ka balotazh ose jo.

Në bazë të rezultateve preliminare, Kadri Rahimaj del fitues pa balotazh në këtë komunë, meqë ka marrë 50,56 për qind të votave.

Pas Rahimajt radhitet Kastrati, me 27,98 për qind të votave.

SHPËRNDAJE