ylliiNga Ylli PATA

   Kështu, Ismail Kadare ka shkruar pas demonstrative të vitit 1981 që kërkonin Kosovën-Republikë brenda Jugosllavisë, romanin-ese: “Krushqit janë të ngrirë”, i cili u përkthye dhe u botua edhe në Francë dhe pati mjaft jehonë, çka detyroi disa intelektualë serbë që Parisin e kishin si shtëpinë e tyre që ta sulmonin Kadarenë. Nga dekorimi i Thaçit, mbetet të dihet vetëm nëse presidenti kosovar, ish-kreu politik i UÇK-së, ka lexuar apo di ndonjë poezi të Dritëroit, ka shkruar publicisti dhe analisti i njohur shqiptar Ylli Pata ne agjencinë e lajmeve “Presheva Jonë”

 

Dekorimi i poetit dhe shkrimitarit Dritëro Agolli nga ana e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka rihapur debatin e vjetër në rrethet e intelektualve shqiptarë mbi dualizmin mes Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit, që ka ekzistuar që prej kur dy shokët e gjimnazit të Gjirokastrës u bënë shkrimtarë rivalë.

 

Por këtë herë, nuk bëhet fjalë për një kritikë thjesht letrare apo recension vepre, por pikërisht po flitet mbi kontributin intelektual të dy penave shqiptarë për çështjen shqiptare në tërësi, e në veçanti për Kosovën.

Nëse shikon veprën e Kadaresë dhe Agollit, në gjithë rrugëtimin në vite, arrin të dallosh që “damarin” nacionalist apo n’daç ta quash kombëtar, e ka ushqyer më shumë gjirokastriti Ismail Kadare.

thhKjo si në sasi por edhe në intensitetit e debatit intelektual në rrafshin ndërkombëtar.

Ka ndodhur kjo ndoshta edhe për shkak se Kadare është shumë më i njohur në elitën botëror sesa Agolli, por edhe lëvrimi i veprës së tij mbi Kosovën dhe çështjen shqiptare në tërësi ka qenë më voluminoz.

Kështu, Ismail Kadare ka shkruar pas demonstrative të vitit 1981 që kërkonin Kosovën-Republikë brenda Jugosllavisë, romanin-ese: “Krushqit janë të ngrirë”, i cili u përkthye dhe u botua edhe në Francë dhe pati mjaft jehonë, çka detyroi disa intelektualë serbë që Parisin e kishin si shtëpinë e tyre që ta sulmonin Kadarenë.

Mbahet mend debati në Le Monde Diplomatique me Vuk Drashkoviçin, i cili u bë më pas politikan dhe ministër i Jashtëm i Jugosllavisë së fundme.

Në fund të viteve ’90-të shkroi sprovën letrare “Ftesë në Studio” ku Kosova ishte shumë e pranishme.

Në vitin 1998 Kadare botoi veprën e dytë ekskluzivisht për Kosovën: “Ra ky mort e u pamë”.

Nga ana tjetër, Dritëro Agolli, ka një qasje në veprën e tij më sociale dhe politike brenda Shqipërisë.

Ai nuk ka pasur ndonjë prej veprave të tij më të njohura që t’i jenë kushtuar çështjes kombëtare si ekskluzivitet apo edhe Kosovës në veçanti.

Por Agolli ka botuar disa poezi shumë të fuqishme dhe perla për rezistencën shqiptare në Kosovë. “Tespihet e Idriz Seferit” është poezia më e bukur dhe e fuqishme që përçon si flakadan fuqinë e kryengritjes shqiptare.

Agolli ka sjellë edhe një lirikë të mrekullueshme që ka lidhje me Kosovën.

Një poezi e shkurtër por shumë fine, “Mesazh i çuditshëm”, flet për bukurinë shqiptare të Kosovës që e sjell si metaforë në portretin e një vajze nga Peja që kishte rënë në Drin dhe ka kaluar në Fierzë. Por mbyllja e kësaj vjershe me tri strofa është fuqi për Shqipërinë e ndarë.

Kjo mbeti për mua një enigmë e çuditshme

Dhe mendjen kam vrarë me javë e muaj me radhë.

Por vetëm një gjë unë e quaj të bardhë e të hijshme:

Vëllai i ndarë prej meje e sillte mesazhin me Drinin e Bardhë

 

Në fakt poezia e Agollit ka qenë lejtmotiv kryesisht nga njësitet e para të rezistencës në Kosovë dhe më pas e UÇK-së. “Mesazhi u çuditshëm” u kthye në himn për “Vëllain e Ndarë që komunikonte me Drinin e Bardhë”.

Nuk mund të flasësh për një konkurencë apo rivalitet direkt mes dy “penave të arta” sa i përket sidomos Kosovës, por për një kontribut komplementar të dyve për çështjen shqiptare. Nga dekorimi i Thaçit, mbetet të dihet vetëm nëse presidenti kosovar, ish-kreu politik i UÇK-së, ka lexuar apo di ndonjë poezi të Dritëroit.

SHPËRNDAJE