Shkruan: Mehmet JASHARI

 

     Me shkas, në prag të zgjedhjeve të vonuara lokale të 24 qershorit në Medvegjë

Cirilikja do t’ua verbojë sytë të gjithë atyre që fjalët e bukura shqipe ua vrasin shikimin dhe për një grimë pushtet dalin në taborin tjetër, në anën e njëjtë me pushtetin serb. Përgjegjësinë do ta marrin mbi supe arkitektët e këtij skenari, si dhe tutorët që u pëshpëritin në vesh për ca interesa të ngushta e meskine. Prandaj, shtrohet dilema hamletiane, të jesh a të mos jesh? Ose në situatën tonë: A duhet të dalim në zgjedhje? Patjetër se PO. A kemi kë ta votojmë? JO! Prandaj, patjetër të (mos) dalim në zgjedhje!

Të dielën, më 24 qershor, në Medvegjë mbahen zgjedhjet lokale për formimin e Asamblesë komunale, të cilat askush nuk e di saktë pse u anuluan, për të mos u mbajtur me ato të rregulltat, më 6 maj të këtij viti. Mbase ato u shtynë për shkak të allishverisheve të pushtetit aktual, i cili si duket rrezikohej për ta humbur atë, prandaj deshi të marrë frymë, me qëllim “konsolidimin” dhe “organizimin” më të mirë për ta ruajtur dhe për ta siguruar sërish pushtetin. Gjithçka do të ishte e kuptueshme sikur kjo formë e konsolidimit dhe e organizimit të mos shkonte në dëm të faktorit shqiptar dhe të çështjes shqiptare, në përgjithësi.

Ndodhi kështu sigurisht ngase pushteti aktual e pa rrezikun që i kanosej nga faktori shqiptar, i cili po të dinte ta shfrytëzonte momentin dhe situatën, sigurisht se do ta rrezikonte në mënyrë serioze atë pushtet, apo thënë më qartë, do të bëhej faktor determinues i rrjedhës së jetës pluraliste në Kuvendin Komunal të Medvegjës. Por, për këtë natyrisht se mungoi unifikimi i unitetit shqiptar.

Ky unifikim u reflektua në mungesën e bashkëpunimit të domosdoshëm dhe pa kushte të të dy subjekteve politike që veprojnë në Medvegjë, respektivisht Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe Unionit Demokratik Shqiptar (UDSH). Ç’është e vërteta, Unioni Demokratik Shqiptar disa herë bëri përpjekje në mënyrë publike, zyrtare, por edhe private që ta arrijë këtë formë unifikimi dhe bashkëpunimi, gjë që u injorua nga partia tjetër, e cila as që pranoi të hyjë në negociata, duke u ngutur se mos i bëhet vonë dhe u rendit nr. 1 në listën zgjedhore të partive që garojnë në Medvegjë. Në këtë mënyrë, sikur e mori e tëra mbi vete përgjegjësinë dhe barrën e suksesit apo të mossuksesit eventual pas procesit zgjedhor. Kështu, duket sikur PVD-ja është e bindur se mund të kujdeset e vetme për fatin dhe të ardhmen e Medvegjës, për ç’gjë do të bindet se ka bërë gabim kardinal.

Edhe kjo do të ishte në rregull sikur të mos pasonin edhe disa parregullsi, shantazhe dhe pengesa tjera, natyrisht në dëm të çështjes shqiptare. Unioni Demokratik Shqiptar bëri përpjekje që të kontribuojë në këtë aktivitet, meqë nuk u pranua bashkëpunimi, atëherë si subjekt i pavarur. U bënë përpjekje që me disa njerëz të gatshëm dhe entuziastë, me disa njerëz me shkollim superior, me disa njerëz që e njohin mirë dikush historinë, dikush gjeografinë, dikush gjuhën shqipe, të kontribuojnë për vendlindjen dhe ta marrin përsipër një pjesë të angazhimit dhe të veprimit për fatin e trojeve shqiptare në Medvegjë. Me këtë, pa dyshim se partia tjetër do ta kishte më të vogël dhe më lehtë barrën e përgjegjësisë. U formua lista zgjedhore, u përgatit programi dhe vizioni zgjedhor, u siguruan nënshkrimet e rreth 250 mbështetësve për certifikimin e listës zgjedhore, u definuan objektivat e angazhimit në periudhën paszgjedhore, me synim që së paku atëherë të arrihet një bashkëpunim me përfaqësuesit e partisë tjetër shqiptare.

Por, as kjo formë nuk ishte e pranueshme dhe e pëlqyeshme për pushtetin aktual. Sërish u nuhat ndonjë mundësi e rrezikut dhe filloi “konsolidimi” dhe “organizimi” i radhës. Së pari, kompania “Selo-Tours”, e cila, edhe pse ishte arritur marrëveshja për transportimin e njerëzve për nënshkrimet mbështetëse me autobusët me çmimin çfarë vetë e kishte kërkuar, në momentin e fundit, në mbrëmjen e vonshme, rreth orës 20:00, njofton se nuk ka gatishmëri për ta kryer atë punë. Pa dyshim se në këtë qëndrim dhe vendim kishte gisht pushteti aktual në Medvegjë. Aq më tepër, kur përgjigjja në arsyetimin e shkeljes së marrëveshjes ishte: “Shkoni dhe kërkoni autobusë në Leskoc!” . Por, edhe kjo barrierë u tejkalua me sukses, edhe pse me shumë sfida. U gjet një vëlla kosovar nga Mareci, që nuk deshi as të identifikohet me emër dhe mbiemër dhe i cili për dy ditë me radhë, pa kurrfarë kompensimi, i barti udhëtarët deri në kufirin e ndarjes së trojeve shqiptare dhe puna u krye.

Atëherë, duhej shpikur patjetër pengesën e radhës. Këtë e imagjinoi Komisioni Komunal Qendror Zgjedhor. Më saktësisht, disa nga anëtarët e këtij komisioni. Edhe më keq, anëtarët shqiptarë të këtij komisioni nga partia simotër shqiptare (PVD) e kontestuan tërë listën, tërë aktivitetin, tërë qëllimin e vëllezërve të tyre shqiptarë. Ata thanë: “Lista shqiptare e UDSH-së nuk mund të certifikohet! Arsyeja: Formularët është dashur të plotësohen në gjuhën serbe dhe me alfabet cirilik!”. Dhe shih ironinë që dhemb, këtë kontestim e votuan vetëm disa nga anëtarët serbë, por të gjithë anëtarët tjerë nga partia simotër shqiptare (PVD).

Më kot UDSH bëri përpjekje ligjore me ankesë në Komisionin Komunal Qendror Zgjedhor. Përgjigjja ishte negative. UDSH bëri edhe dy përpjekje tjera ligjore me ankesë në Gjykatën Administrative në Beograd. Përgjigjja përsëri ishte negative. Pa dyshim, pushteti aktual e ka ndikimin e vet edhe atje, edhe atje në kreun e shtetit që aspiron integrimin evropian me procese të ndaluara zgjedhore, madje edhe në një komunë të vogël, çfarë është Medvegja.

E, sa për sqarim: Partitë politike në Preshevë dhe Bujanoc janë certifikuar me dokumentacion vetëm në gjuhën shqipe, sigurisht pasi atje s’ka pasur kush ta kontestojë këtë proces.

Dhe, definitivisht: Pushteti aktual në Medvegjë, në të cilin participonte dhe synon të participojë edhe PVD, ia arriti qëllimit, e pamundësoi pjesëmarrjen në zgjedhje të “lira dhe demokratike” të subjektit politik me emrin Unioni Demokratik Shqiptar. S’ka dyshim se për këtë ua kanë vrarë veshin dhe syrin disa elemente: Emri shumë domethënës i partisë, lista e formuar nga njerëz të arsimuar dhe të dëshmuar në aktivitete kombëtare jo vetëm në Medvegjë, dokumentacioni i plotësuar në gjuhën shqipe (edhe serbe, por me alfabet latin), droja se mos po krijohen kushte dhe motive për kthimin e shqiptarëve të zhvendosur, frika se mos po humbin poste e detyra që nuk çojnë fare peshë etj., etj.

Në lidhje me këtë, kryetari i Degës së Unionit Demokratik Shqiptar për Medvegjë, z. Rexhep Abazi, për agjencinë medvegja.net ditë më parë deklaroi se po tentohet që Unionit Demokratik Shqiptar (UDSH) për Medvegjë t’i mohohet e drejta për pjesëmarrje në zgjedhjet e 24 qershorit 2012 nga qarqet shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, e për fat të keq edhe me ndihmën e disa shqipfolësve, për “fajin” se nuk i ka plotësuar formularët me alfabetin cirilik, gjë të cilën e ka bërë PVD-ja e Medvegjës dhe nuk ka telashe me pushtetin. Prandaj, thotë ai, “e lutim popullin shqiptar që të mos na dënojë për një (mos)veprim të tillë. Çështja ka arritur në Gjykatën Administrative në Beograd. Besojmë në një vendim të drejtë. Kërkojmë ndjesë që ne tentuam ta bëjmë një kompromis për hir të mbarëvajtjes së procesit, dhe shkruam edhe në gjuhën serbe me alfabet latin, gjë që hasi në veshë të shurdhër dhe sy të verbër!”, thotë ndër të tjera Abazi.

Dhe për fund, meqë për dy mandate kam qenë këshilltar komunal në Asamblenë e Medvegjës, i zhgënjyer thellë, i zgjedhur me votën e shqiptarëve të zhvendosur me dhunë nga trojet e veta, jam përpjekur me mish e shpirt të kontribuoj që çështja shqiptare në Medvegjë të zgjidhet sa më mirë dhe sa më drejt. Medvegja nuk do të duhej të shndërrohej në një Çamëri të dytë, por aty nuk respektohet as Kushtetuta e shtetit, as Statuti komunal, as marrëveshjet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave, as barazia e gjuhëve, madje as të drejtat më elementare. Për këtë, normalisht se një pjesë të fajit e ka edhe vetë faktori shqiptar. Prandaj, në lidhje me këtë situatë, me përgjegjësi të plotë jam në gjendje të argumentoj me fakte dhe me dëshmi, qoftë nëpërmjet medieve të shkruara apo elektronike, të gjitha këto në favor të informimit të drejtë të opinionit publik.

SHPËRNDAJE