hoxhhh

Nga Etleva Skonja

Në një kohë që marrëdhëniet Qeveri –Opozitë janë të ftohta për shkak të çështjes së Demarkacionit, Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka folur për ratifikim të Demarkacionit. Në këto rrethana, i bie që ministri Hoxhaj, ose po i injoron tërësisht propozimet dhe idetë e opozitës apo edhe të disa deputetëve të mazhorancës, ose nuk e ka idenë se shefi i tij, kryeministri Isa Mustafa, ka kërkuar së fundmi dialog me kundërshtuesit e Demarkacionit.

Që do të thotë, se nëse do Qeveria do të kishte votat për ratifikimin e Demarkacionit, nuk do ta zvarriste më tej këtë process, sidomos pas alarmit që ka dhënë BE –ja, se Demarkacioni është kusht për liberalizim të vizave.

Tashmë një pjesë e opozitës e ka pranuar ftesësn për dialog të kryeministrit, por pa hequr dorë nga qëndrimet tashmë të deklaruara e ndërkohë kreu i diplomacisë së Kosovës, ka dalë publikisht me afate konkrete për ratifikimin e Demarkacionit. Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se në javët e para të muajit tetor mund të pritet ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Sipas të njëjtit,  çështja e kufirit nuk është një çështje e hapur mes Malit të Zi dhe Kosovës si dy vende sovrane, por më shumë një çështje e brendshme në mes të pikëpamjeve të ndryshme që kanë partitë në opozitë dhe partitë të cilat e udhëheqin qeverinë.

“Padyshim që mungesa e ratifikimit të marrëveshjes për demarkim të kufirit me Malin e Zi, nuk është diçka që e mbështet delegacionin tonë gjatë punës tonë në New York, meqë është ngritur herë pas here në takimet që kemi pasur deri më tash, por unë besoj që gjatë dy javëve të para të tetorit, Kuvendi i Kosovës, partnerët e koalicionit, do të jenë në gjendje që ta ratifikojnë këtë marrëveshje, meqë kjo marrëveshje nuk është një çështje e hapur mes Malit të Zi dhe Kosovës si dy vende sovrane, por më shumë është një çështje e brendshme në mes të pikëpamjeve të ndryshme që kanë partitë në opozitë dhe partitë të cilat e udhëheqin qeverinë.

Ne e dimë që me këtë marrëveshje Kosova nuk humb territor dhe kjo marrëveshje është e rëndësishme pikërisht në atë se çfarë kemi bërë në këto 8 vitet e fundit në kompletimin e sovranitetit, meqë demarkimi i marrëveshjes do të regjistrohej në të ardhmen edhe në sekretariatin e OKB-së si një kufi ndërkombëtar i njohur në mes të dy vendeve, përveç asaj që është kushti i fundit dhe madhor në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, është shprehur ai.

Ndërkaq, Visar Ymeri, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, në seancën e parë parlamentare për sezonin vjeshtor në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi ka përfunduar.  Ymeri, duke iu referuar marrëveshjes së përcaktimit të kufijve,  ka thënë gjithashtu se Thaçi është gabim. ‘Seanca e 1 shtatorit është fundi i marrëveshjes së Demarkacionit. Thaci është gabim. Meqenëse kjo marrëveshje po përkrahet nga (Hashim) Thaçi dhe (Isa) Mustafa, kërkoj nga të dy të tërhiqen nga këto mendime.Marrëveshja e (Hashim)  Thaçit i humbet tokë Kosovës”, ka  thënë Kryetari i Vetëvendosjes.

SHPËRNDAJE