Qytetarë të shumtë të mbledhur sot para stacionit policor në Ferizaj kanë protestuar në shenjë revolte ndaj vrasjes së 18 vjeçares në këtë qytet.

Protesta u organizua nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, ndërsa protestës i janë bashkuar edhe qytetarë të shumtë.

Me parulla të shumta dhe thirrje për drejtësi protestuesit kanë kërkuar dënim maksimal për vrasësit e 18 vjeçares, ndërsa në shenjë revolte kanë hedhur ngjyrë të kuqe në drejtim të Policisë.

“Poshtë institucionet patriarkale”, “Jeta e grave hajgare për shtetin”, “Dënim maksimal për Dardan Krivaqën”, “Dënim maksimal për Arbër Sejdiun”, “Duam drejtësi për Marigonën”, “Drejtësi për krejt gratë e vrame”, “Adresoni dhunën institucionet përgjegjëse”, “Dënime maksimale për vrasësit e grave”, “Policia i ka duart me gjak”, “Prokuroria i ka duart me gjak”, Përdhunuesit e vrasësit e grave enden të lirë”, “Përdhunuesit në burg”, , “Mos e bëni normë vrasjen e grave”, “Mos i lëshoni me procedura të rregullta”, ishin thirrjet kryesore të protestuesit.

Organizatorët e protestës theksuan se nuk ka siguri për gratë dhe ato po rrihen, dhunohen në shtëpi e rrugë.

“Thirrjet e grave nuk po dëgjohen, ndërsa fajësohen edhe kur vriten”, thanë më tej.

Organizatorët kërkuan nga institucionet që urgjentisht të trajtohet fenomeni i femicitit, dënim maksimal për vrasësit, siguri për vajzat dhe gratë në të gjitha hapësirat.

Po ashtu u kërkua nga Policia e Kosovës që vajzat dhe gratë të trajtohen me dinjitet kur raportojnë rastet e dhunës.

SHPËRNDAJE