Foto ilustrim

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot” ka thënë se Qeveria e ardhshme duhet të formohet nga Vetëvendosje dhe LDK, pasi asnjëra nga partitë politike nuk arriti që të sigurojë shumicën në zgjedhjet e 9 shkurtit për të qeverisur e vetme.

“Do ishte mirë që VV bashkë me LDK-në, Nisma-në, Nenad Rashiqin dhe pakicat jo-serbe ta formonin qeverinë e re, një akt ky shumë parimor, me të cilin, jo vetëm që do të formohej Qeveria sipas rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti, por do të sigurohej vazhdimi i mandatit të presidentes aktuale apo edhe zgjedhja e presidentit/es, të ri të vendit në prillin e vitit të ardhshëm, kur dhe përfundon mandati i presidentes aktuale Dr. Vjosa Osmani”, shprehet Qarri.

“Ndërsa sa i takon formimit të Qeverisë, në fakt tanimë duket se pa kthimin e përgjigjes nga Gjykata Supreme, të cilës, VV, pas refuzimit nga PZAP, ka deklaruar se do ti drejtohet, lidhur me ankesën mbi fletëvotimet e dërguara me postë, edhe rezultati i zgjedhjeve, nuk mund të quhet i përfunduar dhe nuk mund të fillojnë bisedimet zyrtare, as për formimin e Qeverisë së re, andaj kjo nënkupton, se përveç kalimit të 5 javëve, derisa KQZ, me hapat e breshkës, arriti ta kryente maratonën e pashembullt të numërimit të votave, jemi të detyruar të presim edhe pak kohë, derisa të vendos Gjykata për çështjen e ankesave, pasi që PZAP i ka hedhur poshtë si të pabazuara”, deklaron Qarri.

Image

Gani Qarri

Por a mund të shkojë vendi drejt një krize politike, ashtu siç ka ndodhur disa herë në të kaluarën?

“Kurse thjeshtë, sa i takon krizës politike, për momentin unë, nuk shoh arsye të ketë diç të tillë, derisa Nisma serish përsëriti deklaratën, se nëse opozita, nuk ka mundësi ta formojë Qeverinë, ajo do ti bashkohet LVV-së, për  formimin e Qeverisë së re, në mënyrë që vendi, të mos shkojë serish në zgjedhje”, thekson Qarri, sipas të cilit, opozita e ka të pamundur që ta formojë qeverinë e ardhshme në Kosovë.

“Sa i takon formimit të Qeverisë nga opozita, ajo e ka të pamundur të formojë Qeverinë, pa hyrjen në koalicion me “listën serbe”, sepse nuk mund ti sigurojë numrat e mjaftueshëm, e pas vendimit të LVV-së, që “lista serbe”, në asnjë mënyrë të mos marrë pjesë në formimin e qeverisë së re, edhe opozita, e ka të pamundur ti hyjë serish aventurës për formimin e Qeverisë me listën serbe, e cila në fakt, vetëm fizikisht “banon” në Kosovë, ngase realisht  është dorë e zgjatur e Serbisë, madje edhe Për Republikën e Kosovës, e vetmja ajo, përdor termat fashiste të Aleksandër Vuçiqit”, nënvizon Qarri.

Por Qarri edhe pse propozon që Vetëvendosje dhe LDK ta formojnë qeverinë, ai nuk mban shumë shpresa se mund të ndodhë një gjë e tillë.

“Por duke qenë se ankesën për votat me postë e ka ngritur pikërisht LVV dhe problemi për votat me postë, është kthyer në mollë sherri, pikërisht ndërmjet këtyre dy partive, si dhe problemet e brendshme që tanimë, janë shfaqur publikisht edhe brenda vet LDK-së, e bëjnë të pasigurt jo vetëm dakordimin për të hyrë në koalicion, por nuk garantojnë as qëndrueshmërinë e Qeverisë, për kohë të gjatë”, shpjegon Qarri.

Si opsion, Qarri e sheh formimin e qeverisë së pakicës, e cila mund të ketë mandat një vjeçar.

“Prandaj si opsion, mbetet mundësia e formimit të Qeverisë së pakicës, madje nëse jetëgjatësia e Qeverisë, është e parashkruar të mos shkojë më gjatë se një vit, sado që nuk do të ishte e preferuar edhe një Qeveri e pakicës, për kohë të caktuar, nuk shkakton tërmet politik, duke pasur parasysh se pas një viti duhet të vendoset për vazhdimin e mandatit të presidentes aktuale, apo emërimit të një presidenti të ri, ku partitë politike, mund të mos bien dakord për votimin e kandidatit dhe vendi serish ka mundësi të detyrohet, të shkojë në zgjedhje të reja, ngase për emërimin e presidentit , sipas Kushtetutës, kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve, të cilat pa një dakordim të gjerë, nuk mund të sigurohen nga asnjë subjekt, si participues i vetëm, pra nuk mund të bëhen numrat e nevojshëm pa pjesëmarrjen e disa partive, në votimin-pro!”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri.

SHPËRNDAJE