Putinizmi është një skenar i ndjekur nga Aleksandar Vuçiq. Kështu mendon profesoresha në Fakultetin e Kriminologjisë dhe Studimeve të Sigurisë të Universitetit të Sarajevës, Edina Becireviq.
Në një intervistë për Portalin Analitika, ajo vlerëson se nënvlerësimi i ndikimeve malinje nga liderët rajonalë forcon praninë e Rusisë në rajon. Ajo ka folur edhe për sulmin terrorist që ndodhi në shtatorin e vitit të kaluar në Banjskë.
Ajo nënvizon se aktiviteti rus në këtë pjesë të botës ka shkuar prej kohësh përtej kontekstit të fuqisë së butë dhe se ne jemi dëshmitarë të një lufte hibride të zhvilluar nga përhapja e dezinformatave dhe subversionit politik.
Profesoresha thotë se bota ruso-serbe është në pritje të momentit për të zbatuar bashkimin e paralajmëruar, duke shfrytëzuar ndryshimet globale.
Duke iu referuar situatës në Mal të Zi, Becireviq tha se me Ligjin për shtetësi të dyfishtë, nëse miratohet, çelësat e Malit të Zi do t’i dorëzohen Aleksandar Vuçiqit ose një prej pasardhësve të tij të ardhshëm.
Shtyrja e anëtarësimit të Malit të Zi në BE, shton ajo, është një zgjatim i ëndrrës së botës serbe.
“Në Ballkanin Perëndimor, bota ruse dhe serbe janë duke pritur për momentin kur do të jenë në gjendje të përfitojnë nga ndryshimet globale dhe të zbatojnë një program bashkimi. Kjo është diçka që si Vuçiq, ashtu edhe regjimet e tij klienteliste dhe partitë politike e shpallin hapur. Le të kujtojmë, për shembull, se negociatat në Karagjorgjev për ndarjen e Bosnjë-Hercegovinës midis Sllobodan Millosheviqit dhe Franjo Tuxhmanit u zhvilluan në fshehtësi të madhe. Ky është një kontrast i mprehtë me narrativën e hapur për shkëputjen e Republika Srpska nga Bosnja dhe Hercegovina, dhe tregon seriozitetin e synimeve të tyre, por edhe rrezikun e luftës. Ndryshimi i kufijve në këtë rajon nuk mund të bëhet në mënyrë paqësore”, mendon ajo.
Megjithatë, sipas disa vlerësimeve, profesoresha boshnjake mendon se nuk do të ketë përpjekje për të nxitur konflikte të armatosura në rajon derisa të arrihet një marrëveshje mes Putinit dhe Vuçiqit.
“Duket se Rusia, pa mbështetjen e Serbisë, nuk mund ta bëjë e vetme. Një skenar si rasti i Banjskës mund të ndodhte, por duke qenë se ajo tentativë përfundoi në mënyrë të palavdishme për rebelët në Kosovë dhe regjimin serb, është e vështirë të besohet se në të ardhmen e afërt regjimi në Serbi do të guxonte të zbatonte një skenar të ngjashëm”.