Klubi i futbollit Prishtina reagon ashpër ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës, duke shkruar kështu në reagimin e tyre: “Agim Ademi, i ashtuquajturi nënkryetar i FFK-së, kinse i përfaqësuar nga Rajoni i Prishtinës dhe rajon i cili akoma i vetmi nuk ka asnjë fushë të vetme ndihmëse…
Qenkan falur disa topa, u bë e ditur nga shtëpia e futbollit të Kosovës, FFK-ja, dhe ja rasti në skenë të del, Agim Ademi, përfaqësues i skuadrës së bankrotuar, Kosova e Prishtinës.
Dhe, na paska reaguar, kinse dikush donë të marrë merita rreth pranimit, ditës dhe orës së afërt që po afron.
T’ju kujtojmë, Agim Ademi edhe një jetë të tërë të ketë, nuk do ta meritonte të ishte as në krye të një skuadre të bankrotuar siç është Kosova e Prishtinës, e lëre më të përfaqësoj rajonin më të madh të banorëve në vend e të jetë nënkryetar i shtëpisë së futbollit, FFK. Edhe dy jetë t’i ketë, asgjë nuk do ta lajë inkriminim e tij nga drejtësia e gjyqësorit, e lëre më të merret me kryetarin e FC Prishtina, Remzi Ejupi, që ka takime me miq të futbollit ndërkombëtar, se që ka vite në shpatullat e tij Agim Ademi së bashku me veprat e tij të mira, nëse ka pasur ndonjëherë ndonjë të tillë, për të këqijat mos të flasim, fletë gjyqësori për çka edhe e ka akuzuar.
FC Prishtina, ka lobuar e do të loboj në vazhdimësi për të mirën e futbollit kosovar, pa dashur të marr merita, ashtu siç tenton të marrë për vete ky njeri i inkriminuar, i cili përfaqëson një rajon aq të madh dhe ku në elitën e futbollit tonë janë vetëm dy skuadra dhe pa u ndërtuar asnjë fushë e vetme ndihmëse, e mos të flasim për projekte tjera kapitale.
Kë e përfaqëson ti i “nderuar”? Një klub të bankrotuar? Apo të gjithë të inkriminuarit që kanë probleme me drejtësinë e gjyqësorit?
E kupton ti, që s’ke dal jashtë vendit sa ka Prishtina ndeshje miqësore ndërkombëtare vetëm prej kohës sa ti e ke uzurpuar atë post? Mos të flasim sa takime, e takime, udhëheqësit e FC Prishtina kanë me njerëzit më me emër dhe ndikim në futbollin ndërkombëtar.
Në FFK, pa dyshim ka edhe njerëz të ndershëm, por para se të merret me dikë tjetër, qifti i Agim Ademit, duhet të përgjigjet, se ku po shkojnë të gjitha parat, donacionet, e Ministrisë së Sportit e Qeverisë? Po parat e ndeshjeve miqësore, keni dhënë llogari?? Po emrin e Kupës e Republikës që dikur e ndante presidenti, emrin ja keni ndërruar për para, të cilat shkojnë, ku?? Edhe emrin e Superligës e keni shitë, po parat ku shkojnë??
Jeni duke e ngrënë djersën e futbollistëve, e gjeneratës së re të futbollistëve që po vije dhe dilni krekoseni aty për disa topa të falur. Turp të keni dhe nuk do t’ju shkoj larg!!!”.
Ejupi: Po lobojmë për futbollin shqiptar për Kosovën ne UEFA
Federata e Futbollit e Kosovës nuk po e pret aspak mirë lobimin e FC Prishtinës në rrugëtimin drejt ndërkombëtarizimit të futbollit të këtushëm. Shtëpia e futbollit kosovar thotë se dikush po mundohet të pastrojë në oborrin e huaj, duke insistuar se s’ka nevojë për ndihmën e bardhekaltërve. Në anën tjetër, presidenti i bardhekaltërve, Remzi Ejupi, thotë se po mundohet ta ndihmojë futbollin kosovar, e jo FFK-në, për të cilën thotë se ka dështuar qe 16 vjet
Një ditë pasi presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, u takua me presidentin e Federatës së Futbollit të Kazakistanit, Yerlan Kozhagapanov, nga i cili mori premtim se vendi i tij do ta mbështesë Kosovën para pranimit në UEFA, në Kongresin e kësaj të fundit më 3 maj, ku të pranishëm ishin edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe biznesmeni Behgjet Pacolli, Federata e Futbollit e Kosovës ka dalë me një reagim, përmes të cilit shfaq pakënaqësi me përzierjen e FC Prishtinës në procesin e ndërkombëtarizimit.
“Jemi të detyruar të reagojmë me arsye, sepse konsiderojmë se jo të gjithë po u gëzohen këtyre sukseseve. Kritikat vijnë nga ata që për disa vite të tëra kanë bojkotuar çdo kuvend të FFK-së dhe në anën tjetër dalin në mediumet e tyre e shtiren sikur po e ndihmojnë FFK-në. Ata përpiqen ta pastrojnë oborrin e huaj dhe sikur po e harrojnë klubin e tyre, FC Prishtina, që e kanë vënë në pozitë si kurrë më keq, që prej ekzistimit të tij”, ka thënë nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, i cili shton se krerët e FC Prishtinës nuk janë dukur me vite në zyrat e FFK-së dhe nuk kanë marrë pjesë me asgjë që ta ndihmojnë punën e FFK-së dhe se ata po mundohen ta tërheqin vëmendjen për veten e tyre, me kinse lobime.
Remzi Ejupi, president i FC Prishtinës, thotë se ai dhe klubi i tij nuk po i përzihen aspak në punë FFK-së, por që po mundohen ta ndihmojnë futbollin kosovar, në rrugëtimin e tij të vonuar për t’u ndërkombëtarizuar. Kreu i klubit kryeqytetas insiston se FFK-ja nuk ka bërë asgjë, që nga paslufta.
“Asnjëherë nuk merremi me FFK-në, ne mundohemi të punojmë vetëm për futbollin e Kosovës. Më meritorët në promovimin e futbollit kosovar janë lojtarët që po luajnë jashtë si Cana, Xhaka, Shaqiri, Behrami, Mavraj, Januzaj… por, edhe i fundit prej tyre, Milot Rashica, ka bërë më shumë se krejt udhëheqësia e FFK-së”, u shpreh fillimisht ai.
“Futbollin e Kosovës do ta ndërkombëtarizojë politika, Brukseli, e jo drejtuesit e FFK-së, të cilët nuk kanë bërë asgjë qe 16 vjet. Më së paku kanë merita profiterët e futbollit, që mundohen të përfitojnë në çdo aspekt. Unë nuk e njoh kush është ai njeri që paska folur në emër të FFK-së, nuk e di kë e përfaqëson dhe as nuk dua ta njoh”, nënvizoi Ejupi.