Një ditë pas deklaratës së kreut të LSI-së Ilir Meta, se ai ndjehet si një luan, vjen edhe reagimi i ashpër i deputetit Dritan Prifti.

Ky i fundit ka mprehur shpatën me akuza të ashpra ndaj Metës dhe Spartak Brahos. Duke e cilësuar familjen e zotit Meta si të korruptuar, Dritan Prifti tha se ata janë kthyer në tartabiqe të fryra nga gjaku i njerëzve. Sipas zotit Prifti, Ilir Meta ka mbetur sot i vetëm pas tradhëtisë që i ka bërë, siç thotë ai, gjithë miqve e kolegëve të shkuar.

Në reagimin e fortë të Dritan Priftit, mes rreshtash përmendet edhe pozicioni i Spartak Brahos, të cilin përveçse e ironizon, e quan edhe njeriun e korrupsionit dhe fitimeve të padrejta. Fitime që sipas zotit Prifti kanë blerë edhe drejtësinë e gjyqtarët e përfshirë në këtë gjyq. E megjithatë ish-ministri i LSI-së ka theksuar se drejtësia do të vihet në vend e këtë e presin sipas tij të gjithë shqiptarët.

Ditën e premte prokuroria ka dhënë pretencën duke kërkuar 2 vite burg dhe 1 milionë lekë gjobë për Ilir Metën nën akuzën e korrupsionit aktiv. Një kërkesë kjo që u sulmua duke u quajtur si e ngritur politikisht nga përfaqësuesit ligjorë të Metës.

Ndërkohë, një ditë më parë Ilir Meta, ndërsa ndodhej në qytetin e Shkodrës e ka cilësuar akuzën e ngritur nga Prokuroria si të pabazuar në fakte konkrete dhe pretencën e dhënë për dënimin e tij me dy vjet burg dhe 1 milionë lekë gjobë si një pretencë politike.

Meta e cilësoi veten e tij një luan, ndërsa është pyetur nga gazetarët në lidhje me videot e tjera që janë bërë të ditura nga Dritan Prifti.

SHPËRNDAJE