Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, tha se mund të pritet që disa vende të bëjnë presion ndaj Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës, si kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Kuptohet që pas mbylljes së bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës, do të ketë vende ose administrata, të cilat do të dëshirojnë të bëjnë presion ndaj Serbisë lidhur me Kosovën. Unë këtë natyrisht se nuk do ta fsheh”, tha Tadiq mbrëmë në Bruksel, pas takimit me presidentin e Bashkimit Evropian, Herman Van Rompej.

Presidenti serb theksoi se Qeveria aktuale e Serbisë dhe ai si president nuk do ta “pranojnë pavarësinë e Kosovës as në mënyrë implicite e as eksplicite”.

Ndërkaq, presidenti i BE-së, Herman Van Rompej, e përshëndeti dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Ata janë afër marrëveshjeve pragmatike në kuptimin e bashkëpunimit rajonal, që është esencial për procesin e integrimit evropian”, tha Rompej pas takimit me Boris Tadiqin. (f.b.)

SHPËRNDAJE