Një gjykatë në Maqedoni i ka caktuar 30 ditë paraburgim, ish ministrit të brendshëm, Lube Boshkovski, në pritje të procesit gjyqësor lidhur me dyshimet për financim të paligjshëm të fushatës politike dhe keqpërdorim të pozitës së tij si lider i partisë.
Ai është arrestuar dje pasi është zënë me një thes me 100 mijë euro dhe me një revole në veturën e tij.
Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet deri në 8 vjet burgim.
Ish ministri i brendshëm, Lube Boshkovski, tash e udhëheq partinë Të Bashkuar për Maqedoninë, e cila në zgjedhjet e së dielës nuk fitoi asnjë ulëse në Kuvend.
Arrestohet Lube Boshkovski
Lube Boshkovski, kryetar i partisë “Të bashkuar për Maqedoninë” u arrestua para restorantit Vodenica në Shkup. Familjarë dhe simpatizantë të Boshkovskit prisnin të shihnin liderin e tyre, por ai nga ana tjetër e stacionit policor në Gazi Babë u dërguar drejt gjykatës themelore Shkupi 1 në përcjellje të shtuar të policisë. Bashkëshortja e Boshkovskit para kamerave televizive shprehi revoltën e saj pasi askush deri më tani nuk e ka njoftuar me arsyet e arrestimit të bashkëshortit të saj
“Askush nuk mori guximin të më shikojë në sy dhe të më thotë se pse Lube ndodhet në stacionin policor. E nxorrën nga tuneli i fshehtë dhe nuk na lejuan ta shohim e as të na thonë se pse e paraburgosën. Kjo më përkujtoi rastin Vreshtat e Rashtakut në vitin 2004”, tha Violeta Boshkovska, bashkëshortja e lube Boshkovskit.
Boshkovski është arrestuar rreth orës 14 e 30 minuta para restorantit “Vodenica” në Shkup. Aksioni i Alfave sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme është ndërmarrë pasi që ish-ministri i brendshëm nga periudha e vitit 2001 dyshohet për vepra të rënda penale, financim jolegal të fushatës parazgjedhore, si dhe keqpërdorim të pozitës së autorizuar dhe zyrtare në partinë e tij. Aksioni për arrestimin e tij është zhvilluar nga 20 pjesëtarë të njësisit policor Alfat
Siç edhe mund të vërehet nga këto xhirime, gjatë arrestimit Boshkovski nuk ka bërë kurrfarë rezistence. Gjithashtu aksioni i policisë është ndërmarrë në prezencë të djalit të tij. Njësitet e policisë në bagazhin e makinës së Boshkovskit, kanë gjetur 100 mijë euro dhe një pistoletë. Paratë, sipas policisë, dyshohet se Boshkovski ka pasur ndërmend t’i shfrytëzojë për pagesën e borxheve të fushatës, gjegjësisht për financim joligjor të fushatës.
“Përskaj parave, gjatë kontrollit të kryer në makinën e tij “lançia” është gjetur edhe një pistoletë dhe leje, e cila sigurisht që nuk është për atë pistoletë. Kështu të njëjtit prova mund të përdoren pët t’i shtuar edhe një padi tjetër penale, armëbajtje pa leje dhe tregti me armë. Gjithashtu do të bëhen edhe kontrolle shtesë dhe do të njoftohet edhe Drejtoria e të Ardhurave Publike për kontrolle plotësuese lidhur me financimin e plotë të fushatës së tij politike”, tha Ivo Kotevski, zëdhënës I MPB-së.
Kotevski tha se bëhet fjalë për dy vepra të rënda penale për të cilat ligji parasheh dënim minimal prej 3 deri në 5 vjet burg. Para disa muajsh Lube Boshkovski pati deklaruar se Ministria e Brendshme dëshiron të arrestojë dhe ta fusë në burg.