Presidenca e Republikës së Kosovës mësoi me hidhërim të thellë për incidentin e ndodhur në aeroportin e Frankfurtit kur dy persona, mes të cilëve një ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës humbën jetën si pasojë e një akti vrastar të kryer nga dikush që është shtetas i Kosovës.

Akti i rëndë i shkaktuar nga një bashkëqytetar i tyre ka krijuar dëshpërim te të gjithë qytetarët e Kosovës.

Në emër të qytetarëve të Kosovës unë i shpreh ngushëllimet më të thella popullit amerikan, ushtrisë amerikane, autoriteteve amerikane dhe familjeve të të vrarëve për këtë humbje të shkaktuar nga një akt i paprecedent.

Populli i Kosovës e dënon me rreptësi këtë akt të lig, individual pavarësisht motiveve që e kanë përcaktuar atë, kryer ndaj njerëzve me rrobën e ushtrisë që pati rol thelbësor në çlirimin e Kosovës, ushtrisë që ka rol kyç në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në gjithë botën.

Ky moment i dhimbshëm shërben për të rikonfirmuar më fuqishëm se më parë, ndjenjën e simpatisë dhe mirënjohjes së popullit të Kosovës për SHBA-të.

SHPËRNDAJE