Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, z.Lukas Beglinger, i cili uroi z.Pacolli për zgjedhjen në detyrën e re, si dhe i përcolli urimet e Presidentes së Konfederatës së Zvicrës, znj.Micheline Calmy-Rey.

“Kontributi i zonjës Micheline Calmy-Rey dhe i Zvicrës në shtetndërtimin e Kosovës ka qenë shumë i madh”, tha Presidenti Pacolli në takim, duke çmuar ndihmën e vazhdueshme të Zvicrës, si në të kaluarën ashtu edhe sot, për popullin dhe institucionet e vendit tonë. Ai theksoi se përveç ndihmës në të gjitha fushat, e një rëndësie të veçantë është prania e trupave të Zvicrës në Kosovë, të cilat japin kontribut të çmueshëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë dhe në dhënien e asistencës komunitetit.

Presidenti Pacolli tha se Kosova ka nevojë ende për ndihmë nga Zvicra, në përcjelljen e përvojave të këtij shteti në vendin tonë, si dhe theksoi fushën e drejtësisë, si një fushë ku Zvicra mund t’u japë një ndihmë të çmueshme institucioneve përkatëse të vendit tonë. Gjithashtu, ai theksoi edhe kërkesën që sa më shumë biznese nga ky vend të investojnë në Kosovë, duke ndihmuar zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e shkallës së lartë të papunësisë.

Nga ana e tij, ambasadori z.Lukas Beglinger tha se vendi i tij ka ndihmuar në vazhdimësi popullin dhe institucionet e Kosovës dhe këtë do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen, në të gjitha fushat. Ai theksoi se Zvicra nuk do të zvogëlojë kontigjentin e ushtarëve të vet në kuadër të KFOR-it, ndërsa do të vazhdojë kontributin e saj edhe në kuadër të EULEX-it. Ai gjithashtu përmendi se Kosova dhe Zvicra kanë të nënshkruara marrëveshje bashkëpunimi që mbulojnë disa fusha, ndërsa në të ardhmen do të nënshkruhen edhe marrëveshje të tjera.(B.S)

SHPËRNDAJE