Të dashur futbollistë, trajnerë, drejtues të klubeve, gjyqtarë e delegatë dhe tifozë.
Të dashur miq të futbollit!
Sot u inaugurua edicioni i ri në Superligë me ndeshjen ndërmjet Trepçës’89 dhe Arbërisë. Një kampionat ky me format të ri, me 10 klube pjesëmarrëse në elitë dhe me sistem të katërfishtë garues. Pa dyshim, ky format ofron mundësi për rritje të mëtejshme të organizimit, por edhe ngritje të cilësisë dhe rivalitetit ndërmjet skuadrave.
Fatkeqësisht, këtë kampionat po e fillojmë në kohë pandemie, prandaj edhe kujdesi i të gjithë pjesëmarrësve duhet të jetë maksimal në mënyrë që ta mbrojmë shëndetin e gjithsecilit protagonistë në fushën e lojës, por edhe të familjeve tona në përgjithësi.
Federata i ka ndërmarrë të gjitha masat që parashihen nga institucionet tona shëndetësore për mbrojtje nga Covid-19, andaj kërkoj nga klubet që ato t’i respektojnë në mënyrë strikte.
Natyrisht se futbolli është pasion dhe luhet për tifozët dhe pa ata në tribuna emocionet janë të mangëta. Për këtë arsye, së bashku me institucionet përgjegjëse në luftën kundër koronavirusit, jemi duke punuar që së shpejti të vendoset për rikthimin e tyre sa më të shpejtë në numër të limituar në stadiume, ashtu siç është vepruar tashmë në shumë vende tjera evropiane.
Jam i lumtur që sot e filluam edicionin e ri, i cili shpresoj se do të na dhuroi emocione të pafundme dhe lojëra cilësore. Progresi i futbollit tonë tashmë është i prekshëm, gjë e cila dëshmohet edhe me paraqitjen e skuadrave tona në garat evropiane, por edhe me investimin e klubeve në futbollistë cilësor.
Me këtë rast falënderoj Ministrinë e Sportit dhe atë të Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Policinë për mirëkuptimin dhe përkrahjen në këtë situatë të vështirë.
Gjithashtu, uroj klubet për fillimin e kampionatit të ri me shpresë dhe besim se të gjithë së bashku do ta menaxhojmë mirë situatën me pandeminë, teksa futbollistët do të na japin emocione në fushën e lojës dhe ‘fair-play’.
Suksese të gjithëve!
Vazhdojmë me përgjegjësi e krenari!
A.A.