22 maj, 2024 – Presidenti Agim Ademi priti sot në takim përzgjedhësin e ekipit kombëtar, Franco Foda, me bashkëpunëtorë. Gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht për kampin e ardhshëm të ekipit kombëtar, i cili do të zhvillohet në muajin qershor, si dhe për përgatitjet sa më të mira për edicionin e radhës të Ligës së Kombeve që nis në shtator.

Në këtë takim, presidenti Ademi shprehu mbështetjen e plotë për trajnerin Foda dhe shtabin e tij teknik. Ai theksoi rëndësinë e përgatitjes sa më të mirë për kampin e qershorit, duke e konsideruar atë një mundësi të mirë për të konsoliduar ekipin për ndeshjet e Ligës së Kombeve.

 

Presidenti Ademi vuri në dukje se 2024-ta është një vit shumë i rëndësishëm për ekipin kombëtar të Kosovës, duke kërkuar nga trajneri Foda dhe lojtarët që të japin maksimumin e tyre për të arritur rezultatet e kërkuara. Ai shprehu besimin se me një punë të përbashkët dhe një përkushtim të plotë, ekipi mund të realizojë objektivat e vendosura dhe të bëjë krenarë Dardanët.

Nga ana e tij, trajneri Franco Foda falënderoi presidentin Ademi për mbështetjen dhe besimin e treguar, duke theksuar se ai dhe ekipi i tij janë të përkushtuar për të arritur suksesin dhe për të bërë më të mirën me Kombëtaren e Kosovës.

SHPËRNDAJE