Presidenti i FFK-se, z. Agim Ademi ka shkruat sot per Shukri Sylejmanin-Shukin, ish-kryetarin e “SC”Gjilanit”,  i cili paska nderruar jete, duke e ngushelluar familjen dhe miqet.

Ja postimi i plote i Presidentit Ademi:

Një tjetër mëngjes i trishtë. Sot paska ikur në amshim njeriu që i dha gjithçka futbollit, ish-kryetari i SC “Gjilani”, Shukri Sylejmani-Shuki!

Kontributi i Shukit në futbollin e Kosovës ishte i jashtëzakonshëm që nga ditët e para të mëvetësimit.
Shuki, si disa bashkëkohës tjerë të tij e shkriu pothuajse tërë pasurinë e tij dhe të familjes për ta mbajtur gjallë futbollin e Kosovës në periudhën më të vështirë të mbijetesës dhe rezistencës ndaj okupatorit serb.

Falë mbështetjes së parezervë dhe menaxhimit të tij SC “Gjilani” u shndërrua në njërin ndër klubet më të organizuara. Kontributi i tij për futbollin nuk ndaloi as në vitet e para të lirisë, duke e shpenzuar edhe metalikun e fundit për klubin e tij të zemrës.
Derbi më i madh i futbollit në Kosovë, Gjilani – Drita, që tashmë ka bërë jehonë edhe në botë, është pikërisht meritë e tij dhe e homologut të tij nga klubi rival, Selami Osmani-Bezi, të cilit nga sot Shuki i bashkohet në botën e përjetësisë.

Fjalët janë të pakta për ta nderuar tërë atë që Shuki bëri për futbollin, andaj, në këtë ditë pikëlluese të ndarjes së tij nga ne, në emrin tim, të KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së të ndjerit, miqve të tij të shumtë dhe SC “Gjilani” për humbjen e këtij njeriu të madh, i cili do të kujtohet gjithmonë për veprën e tij madhështore në mbajtjen gjallë dhe zhvillimin e mëtejmë të futbollit të Kosovës.

I lehtë të qoftë dheu i Kosovës miku im!

Faleminderit për gjithçka çfarë bëre për futbollin e Kosovës!

A.A.

SHPËRNDAJE