JEMI PËR RECIPROCITET TË PLOTË ME SERBËT E KOSOVËS, si zgjidhje më e mirë dhe më e drejtë për shqiptarët në Luginën e Preshevës
Aktualizimi i befasishëm i çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës, dmth të komunës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas vizitës së përfaqësuesve politik e institucionalë të kësaj pjese të gjeografisë tonë kombëtare, më 26 korrik 2018 tek ai, jehoi fuqishëm tek shqiptarët, kudo që ndodhen.
Por, kjo jehonë përfshiu edhe politikbërjen rajonale e europiane, meqë pretendon “korrigjim” të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë dhe “bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën”, duke i ndarë ndërkombëtarët në “pro”: Rusia, Serbia, Franca, Italia, etj., dhe “kundër”: Anglia, Gjermania, Shqipëria, Maqedonia, SHBA është deklaruar se do pranonte çdo vendim me marrëveshje të Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.
Ndërkaq, ne shqiptarët e Luginës së Preshevës që jetojmë dhe veprojmë në Kosovë (SHQLPK), përshëndesim çdo nismë për riaktualizimin e çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës dhe zgjidhjes së drejtë të saj. Sinqerisht, mendojmë se bashkimi i Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës do ishte zgjidhja më e mirë dhe më e pranueshme për ne, meqë paraqet realizimin e ëndrrave shekullore të shqiptarve të kësaj ane, të cilët, që nga vjeshta e vitit 1912, me Luftën e Parë Ballkanike, pas masakrave të përgjakëshme e gjenocidale, së bashku me Kosovën edhe kjo pjesë e Shqiptarisë iu aneksua Serbisë, duke iu ekspozuar një ekzodusi apo shpërnguljeve të përmasave të mëdha për Turqi dhe Lindje të Afërt.
Por, pas bombardimeve të NATO-s dhe luftës çlirimtare të saj, Kosova u çlirua nga vuajtja shekullore nga Serbia.
Kurse, për fatin e keq të saj, Lugina e Preshevës mbeti edhe më tutje nën tutelën antishqiptare e anticivilizuese të Serbisë dhe iu deshtë sërish t’i kapin armët në luftën e lavdishme të UÇPMB-së gjatë viteve 2000-2001.
Por, shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk arritën të çlirohen nga Serbia, e as ta realizojnë vullnetin politik të tyre të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 Marsit 1992 “për Autonomi politike e territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën”.
Mjerisht, në periudhën pas luftës së vitit 1999, Kosova dhe Shqipëria pothuajse tërësisht e anashkakuan dhe e “harruan” çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës, duke e mos përfshirë në bisedimet e Vjenës, nga të cilat rezultoi Pako e Ahtisarit dhe u parapërgatit terreni politik për shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, gjendja e shqiptarve në Luginë të Preshevës, në mënyrë dramatike u përkeqësua e u vështirësua edhe më tepër: qysh të nesërmen, më 18 shkurt 2008 u ndalua importimi i të gjitha librave dhe teksteve e mjeteve mësimore nga Kosova për shqiptarët e Luginës; gjithashtu u ndalua shtypi ditor dhe të gjitha revistat në gjuhën shqipe, etj.
Pra, shqiptarët e Luginës së Preshevës prej asaj kohe e deri më sot kanë mbetur plotësisht të izoluar nga hapsira kulturore e arsimore shqiptare dhe Tirana dhe Prishtina zyrtare, hiç disa tentativa sporadike, kryesisht të dështuara, nuk arritën të bëjnë asgjë, siç thonë shqiptarët e kësaj ane, “as lavrën e minit “, duke i lënë ata plotësisht nën mëshirën dhe në duart gjakatare e antishqiptare të regjimit anticivilizues të Serbisë.
Ndërkaq, në Kosovë mbretëronte euforia gjithëpërfshirëse, me moton “Bac, u kry”, dmth se Republika e Kosovës u bë “shtet i Pavarur dhe Sovran”, paçka se ky shtet u kontestua radikalisht nga serbët e Kosovës, duke i djegur e shkatërruar pikat doganore me Serbinë në pjesën veriore të Kosovës, si dhe u dogjën gjykatat e Republikës së Kosovës dhe u komtestua e pamundësua deri më sot sovraniteti shtetëror i saj në këtë pjesë të territorit legjitim të shtetit të Kosovës.
Kurse, pushteti i Serbisë mbi Luginën e Preshevës asnjëherë deri më sot nuk është kontestuar, madje as gjatë kohës së luftës së UÇPMB-së 2000-2001, përveç Zonës së Sigurisë Tokësore, ku u zhvillua rrezistenca e armatosur.
Avazi i vetëkënaqësisë euforike, por dhe i paaftësisë ekstreme të politikbërjes kosovare vazhdoi edhe në Dialogun e Brukselit, që nga viti 2011 e deri më sot.
Duhet theksuar e përkujtuar faktin se, askund dhe asnjëherë deri më sot pala kosovare askund dhe asnjëherë në bisedimet zyrtare, në asnjë forum ndërkombëtar jo vetëm që nuk e ka shtruar zyrtarisht çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës, por as nuk e ka përmendur fare, dmth as në bisedimet e Vjenës, në Pakon Ahtisari dhe as në Pakon Ahtisari Plus, pastaj në Marrëveshjen e 19 prillit 2013, në Bruksel të nënshkruar nga kryeminstri i Serbisë, Ivica Daçiq, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me ndërmjetësimin e Komisioneres së lartë të BE-së, baronesha Catherine Ashton, pastaj në Marrëveshjen e 15 gushtit 2015, të nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm dhe Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafa, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE-së, zonjës Frederica Mogherini.
Pra, çështja e Luginës së Preshevës, qoftë edhe si baraspeshë e çështjes serbe të Kosovës, nuk është shtruar as nga Presidenti aktual, Hashim Thaçi, i cili ishte në tre mandate kryeministër i Kosovës dhe kryenegociator i palës kosovare.
Befasia e jonë ka të bëjë me enigmën se si u bë kjo punë, që pas heshtjes dhe abstrahimit absolut të çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës pikërisht nga vet ai, tani del e deklarohet “për Bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën”?!
Për neve shqiptarët e Luginës që jetojmë në Kosovë, realisht kjo është një enigmë me shumë të panjohura!
Vallë, a mos êshtë kjo një parapërgatitje për opcionin serb për ndarjen e veriut të Kosovës: komuna e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut, që të gjitha së bashku përbëjnë reth 1/3 e serbëve të Kosovës (reth 30 mijë ), që përfshijnë pjesën andej Ibrit, në territorin reth 1002 km2?
Kurse, tani pala kosovare me gojën e Hashim Thaçit si kryenegociator (i kontestuar) i Kosovës në Dialogun e Brukselit pretendon dhe premton se do ta shtroj çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës, edhe ate, hiç më pak se me bashkimin e saj në Kosovën.
Mbase, Hashim Thaçi na ka borxh dhe duhet të na sqaroj këtë “enigmë” apo “salto mortale”, dmth kthesë radikale në politikbërjen dhe performasën politike aktuale të tij, me sinqeritet të plotë, ashtu si i ka hije një burrështeti serioz, pse jo edhe një patrioti që e don kombin, shtetin e vet dhe bashkëkombësit e tij në Luginê.
Prandaj, ne shqiptarët e Luginës së Preshevës që jetojmë në Kosovë, jemi të brengosur thellësisht dhe dyshojmë e i frigohemi se Lugina e Preshevës mund të keqpërdoret për interesa personale e grupore apo partiake të ndokujt që pretendon të qëndroj me çdo kusht në pushtet, qoftë edhe duke e sakrifikuar çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevë, si “mjet për kusuritje” me Serbinë e Aleksandar Vuçiqit, duke e ndarë veriun e Republikës së Kosovës për një pjesë të territorit të Luginës së Preshevës prej gjithsej 1249 km2, në më pak se gjysma e tij, meqë druajmë se fshatrat e Preshevës dhe Bujanocit që gjënden nën hekurudhë dhe autostradën E-75, dmth nën Korridorin 10, duke e ditur edhe historinë tonë gjatë LDB-së, mund të mbesin nën Serbi. Lugina e coptuar dhe gjymtuar në mënyrë të tillë, realisht është e papranueshme për shqiptarët e Luginës, sepse ato do shkaktonin plagë të reja që do kullonin gjak nga kjo prerje eventuale kirurgjikale dhe do i hapte rrugën ekzodeve dhe vuajtjeve të reja të shqiptarve të kësaj ane, të cilët do detyroheshin që terrenin e rëndësishëm gjeostrategjik të tyre, ku pushojnë varret e stërgjyshëve të tyre me mijëra vjetë, të detyrohen me dhunë apo për hatër të politikbërjes së keqe të shqiptarve dhe për interesa të huaja t’ia lëshojnë Serbisë, ashtu si u veprua gjatë shpërnguljeve masive të shqiptarve në vitin 1848, 1913 dhe gjatë presioneve dhe masakrave gjenocidale të Aleksander Rankoviqit e Sllobodan Millosheviqit dhe tani në Serbinë e Aleksandar Vuçiqit.
Çështja e shqiptarve të Luginës së Preshevës është komplekse dhe me rëndësi kolosale për rajonin, meqë ky territor me Korridorin 10 paraqet nyje lidhëse midis Ballkanit, Azisë dhe Europës.
Gjithashtu është në pyetje edhe fati i reth 100 mijë shqiptarve autoktonë që jetojnë me mijëra vjet, që nga koha parahistorike, dmth para sllavëve që erdhën këtu pas shekullit VII të erës donë, por edhe para grekëve e romakëve.
Andaj, kjo çêshtje nuk guxon dhe nuk mund t’i lihet në dorë vetëm një individi apo partie apo grupimi politik.
Përkundrazi, me këtë çështje kapitale duhet të merret i tërë kombi shqiptar, e sidomos i tërë spektri politik i Republikës së Kosovës, pozita, opozita dhe shoqëria civile, institucionet e Kosovës që nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe intektualët e të gjitha niveleve të shoqërisë kosovare.
Rrjedhimisht, pra, kjo çështje i përket në rend të parë Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Duhet ta përkujtojmë faktin se në Kuvendin e Kosovës u zhvillua një debar i gjërë dhe përmbajtësor më 31 mars 2013, nga ora 10 deri në orën 18, dhe më 6 qershor 2018, u miratua njëzëri kjo:
PËR TË DREJTAT E SHQIPTARËVE NË PRESHEVË, BUJANOC DHE MEDVEGJË
1. Qeveria e Republikës së Kosovës të kushtëzoj marrëdhëniet me kujdesin dhe interesimin shtetëror për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë lidhur me të drejtat e tyre civile, politike dhe etnike;
2. Qeveria e Kosovës të ketë më shumë përkujdesje dhe trajtim më të mirë për qytetarët shqiptarë e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc të cilët janë shpërngulur në Kosovë duke iu garantuar të drejta të plota dhe të barabarta;
3. Qeveria e Kosovës të hapë një zyre në Prishtinë dhe në Gjilan për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me qëllim mbrojtjen dhe përmirësimin e gjendjes së tyre në Luginë dhe atyre të cilët janë shpërngulur nga atje;
4. Të krijohen lehtësi të qarkullimit, shkollimit, afirmimit kulturor, pajisjeve me dokumente përkatëse si dhe lehtësi tjera, duke përfshirë suspendimin e taksës diskriminuese;
5. Qeveria e Kosovës të kërkon nga institucionet ndërkombëtare dhe institucionet relevante që të liron të burgosurit politik duke përfshirë të ashtuquajturin grupin e Gjilanit që janë viktima të një procesi të montuar politik;
6. Qeveria e Kosovës të kërkon reciprocitet të plotë me të drejtat e serbëve pakicë në Kosovë;
7. Kuvendi mbështet nismën e themelimit të një Universiteti Publik në gjuhën shqipe dhe fton përfaqësuesit politik dhe institucional të marrin nismë ligjore;
8. Kuvendi mbështet themelimin e fondit zhvillimor për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë me inicativën e Qeverisë së Kosovës dhe në koordinim me institucionet ndërkombëtare dhe evropiane;
9. Kuvendi i Republikës së Kosovës fton Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare që të angazhohen për detyrimin e Republikës së Serbisë për të respektuar të gjitha të drejtat që dalin nga Konventat ndërkombëtare.
10. Qeveria të themelon grupin ndërministror për implementim që përfshin edhe vizitën e mundshme të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane dhe Ministrisë për Integrim Evropian.
Shtrohet pyetja se, vallë çka u realizua deri më sot nga kjo Rezolutë?
Përgjigja do t’ishte e thjeshtë: Asgjë!
Ose në rastin më të mirë: Pothuajse asgjë!!!
Atëherë, pyesim ne se sa ka gjasa që të realizohet nisma individuale e Presidentit Thaçi, për bashkimin e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës, i cili poqese do i nënshtrohej votëbesimit, vështirë se do mbetej në atë post?
Pra, shtrohet çështja e kredibilitetit dhe serozitetit të këtij “propozimi”!
Aq më parë kur bëhet fjalë për fatin apo për fatkeqësinë historike të shqiptarve në Luginë të Preshevës, por edhe është fjala edhe për fatin apo fatkeqësinë e Republikës së Kosovës.
Pse e themi këtë?
Sepse, ideja për prishjen apo korrigjimin e kufijve, apo për ndarjen e Kosovës, thua i si të doni, është ide e kahmotëshme serbe.
Prandaj, konsiderojmë se fajësinë për prishjen e kufijve ndërshtetërorë në Ballkan për “hapjen e Kutisë së Pandorës nuk kanë pse ta marrin shqiptarët dhe politikbërja zyrtare e Republikës së Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dje më 8 gusht 2018 deklaroi haptas dhe publikisht politika zyrtare aktuale e Serbisë se angazhohet për “kufijë etnikë”. Ai ishte decidiv dhe shumë, madje tmerrësisht shumë i qartë!
Prandaj, konsiderojmë se e vetmja zgjidhje e mençur dhe e drejtë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, si dhe për ardhmërinë dhe perspektivën e shtetit të Republikës së Kosovës në rrugëtimin e saj të suksesshëm drejtë anëtarësimit në NATO, BE dhe në integrimet euroatlatntike, në familjen e kombeve dhe shteteve me demokraci të zhvilluar e të përparuar, do ishte që kjo çështje të kushtëzohet me të drejtat e serbëve të Kosovës.
Pra, sipas parimit të reciprocitetit të plotë: as më pak e as më shumë se ata!
Kjo i bie se poqese serbët e Kosovës dojnë autonomi funksionale brenda Kosovës, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevë do të insistojnë në realizimin e pjesës së parë të Referendumit të 1 e 2 marsit 1992 “për autonomi politike e territoriale” në Serbi.
Natyrisht se, poqese serbët e Kosovës shprehin vullnetin e tyre politik për bashkimin eventual me Serbinë tani, meqë ata për dallim nga shaiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë mbajtur Referendum dhe nuk janë shprehur institucionilisht për këtë çështje, atëherë automatikisht do të realizohej vullneti i tyre institucional për bashkim me Kosovën.
Në këtë mënyrë do i shmangeshim edhe keqkuptimeve dhe fajësimeve eventuale nga pala kosovare për (pa) “fajësinë” e Luginës së Preshevë për (mos) “prishjen” e kufijve aktualë dhe për ndarjen eventuale të Republikës së Kosovës.
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe Luginën e Preshevës!
Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen!
SHPËRNDAJE