Asnjë person në Preshevë nuk është i infektuar me koronavirus, tre persona ishin të testuar porse të njëjtit kanë rezultuar negativë.

Kështu bëri të ditur nënkryetari i Komunës së Preshevës, Armend Aliu në RTK, i cili tha se kur flitet për Preshevën zakonisht flitet për probleme politike apo për situata krizash, por kësaj radhe flitet për lajme pozitive që nuk kemi asnjë të infektuar me koronavirus, madje për momentin as edhe të dyshuar.

“Zakonisht kur flitet për Preshevën flitet për situata krizash, për probleme politike, për probleme në raport me Serbinë, për probleme në raport me të drejtat tona por kësaj radhe po japim një lajm pozitiv që deri më tani nuk kemi asnjë rast me koronavirus, as të dyshuar. Kanë qenë tre raste të dyshuar por kanë rezultuar negativ”, tha Aliu.

Aliu tha se masat e ndërmarra nga komuna dhe respektimi strikt nga ana e qytetarëve kanë bërë që Presheva të mos ketë të infektuar, pasi si komunë kanë ndërmarrë hapa të hershëm në mbylljen e lokaleve, kafiterive dhe po ashtu vetizolimi është një faktor i rëndësishëm që ka sjellë këtë rezultat.

“Komuna e Preshevës tash po funksionon me shtab për situata të jashtëzakonshme, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në tërë territorin e Serbisë, masat që janë ndërmarrë nga ta për të dalë nga kjo situatë e pandemisë, ne si komunë kemi qenë një hap para, sepse 5-6 ditë përpara se të mbylleshin lokalet, kafiteritë apo restorantet në tërësi, ne si komunë i kemi mbyllur dhe kjo ka pasur një efekt. Po ashtu disiplina e qytetarëve, në ndjekjen e rregullave të cilat ne i kemi nxjerrë në pah ka qenë jashtëzakonisht e lartë dhe këto janë faktorët që Presheva të ketë 0 të infektuar. Një masë e cila ka qenë në nivel shteti ka qenë masa e vetizolimit për 28 ditë në shtëpitë e tyre” tha ai.

Presheva mbetet një nga gjashtë komunat në Serbi që nuk kanë të infektuar me Covid-19

Aliu po ashtu tha se janë marrë një seri masash, kanë bërë dezinfektimin e rrugëve, institucioneve.

“Komuna e Preshevës kishte probleme në sferën ekonomike edhe para pandemisë, niveli qendror nuk ka ndonjë risi, interesimin nuk e kanë në nivelin e duhur. Nga niveli qendror kemi marrë veçse rekomandime, urdhëresa dhe premtime që do të ketë paketa të cilat pastaj do t’i asistojnë komunat të cilat do ndihmojnë pas kalimit të pandemisë për dëmet e shkaktuara”, ka thënë ai.

SHPËRNDAJE