Talentet shqiptar në Zvicër

 

 

Shumë shqiptarë, me prejardhje e të lindur gjetkë, tanimë me shumë sukses po luajnë nëpër liga të shteteve të ndryshme të botës. Një ndër vendet më të frekuentuara të talenteve shqiptarë, jo vetëm kohëve të fundit, është shteti zviceran, i cili ka treguar respekt dhe konsideratë të lartë për mërgatën shqiptare, jo vetëm sa i përket futbollit, por përgjithësisht integrimit të bashkatdhetarëve tanë në këtë shtet. Për shumë kohë e në periudha të ndryshme në shtetin helvetik po lindin talent të shquar shqiptarë, të cilët tanimë kanë pushtuar skuadrat elite, por edhe përzgjedhjen nacionale. Si bie fjala: Xherdan Shaqiri, Granit e Taulant Xhaka, Beg Ferati, që janë fuqi e skuadrës së njohur Basel, Burim Kukeli, një futbollist që nuk e ka shoqin dhe që është standard me Luzernin, Admir Mehmedi, Adrian Nikçi me Zurich un, Amir Abrashi e Vullnet Basha me Grasshoppers in, Kristian Nushi me St. Galenin, Muhamed Demiri e Milaim Rama me Thun in etj., janë futbollistë që pa dyshim po luajnë rol të rëndësishëm në futbollin zviceran e më gjerë. Natyrisht se ka edhe shumë futbollistë të tjerë me e pa përvojë, të rinj e talent të pazbuluar shqiptarë, të cilët janë ndikues në rrjedhën dhe në zhvillimin e rangjeve të tjera. Një emër që po vjen padyshim është edhe Shpend Matoshi. Një sulmues i majtë, që ka shpejtësi të verifikuar, fuzikus të lakmueshëm (178 cm), i shkathtë në driblingje, fundja me të gjitha predispozitat, për tu shndërrua në një yll të vërtet. Ai me sukses luan me skuadrën U 21 të Luzernit dhe është 19 vjeçar, ambicioz dhe pret të shpërthejë së shpejti edhe në fanellën e skuadrës së parë, e cila aktualisht është në vendin e tretë me 40 pikë.

“Qe 15 vjet jetojmë dhe veprojmë me familje në Zvicër, por nuk kam pasaportë zvicerane. FC Luzerni është klub i organizuar dhe ka të gjitha grupmoshat. Punohet me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë”, ka thënë Matoshi.

Ky sulmues i shkathët pritet të nënshkruajë kontratë profesioniste me klubin.

– “Gjatë kësaj vere pritet të nënshkruajë kontratën. Mundësitë janë të kalojë në skuadrën e seniorëve. E di se do të jetë sprovë e re dhe përgjegjësi për mua, por synim imi është të shpërthej dhe të jap maksimumin. Kushtet e punës janë të pakrahasueshme, të nivelit të jashtëzakonshëm. Të martën, të mërkurën e të enjten stërvitem nga dy herë në ditë, ndërsa në ditët e tjera nga një herë”, shprehet sulmuesi nga Kosova. Matoshi punon nën drejtimin e trajnerit të palodhshëm Dada Gross.

– “Trajneri Gross është emër i njohur dhe në të kaluarën ka luajtur në disa klube të njohura. Prej tij kam mësuar shumëçka në lojën e futbollit”, ka nënvizuar Matoshi.

Zemra më rrah për Kosovën

Synimet e këtij futbollistit të talentuar janë të luajë me kombëtaren e Kosovës ose të Shqipërisë.

– “Sigurisht se zemra me rrah gjithmonë për kombëtaren e Kosovës, por pse jo edhe për atë të Shqipërisë. Pres nga përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaku që të më ftojë në kombëtare dhe do t’i përgjigjesha me kënaqësi. Për vendin tim janë në gjendje të kontribuoj kurdo që shtrohet nevoja. Njëkohësisht nuk e përjashtojë mundësinë të luajë edhe me kombëtaren Shqiptare”, ka thënë sulmuesi i talentuar, duke u shprehur se me Burim Kukelin nuk ka ditë që nuk takohet.

-” Me të vazhdimisht bisedojë për futbollin dhe sigurisht se marr edhe këshilla. Shumë herë diskutojmë edhe për futbollin e Kosovës dhe për gjëra të tjera gjithnjë në interes këtij sporti. Shpresoj se brenda një periudhe të shkurtër do të jam krah i fortë i tij në përbërjen e skuadrës seniore”, ka theksuar Matoshi.

 

Shtatë shqiptarë në FC Luzerni U 21

Si shumë klube në Zvicër dhe FC Luzerni, sidomos U 21 vlon nga talentët shqiptarë. Janë shtatë veta pjesë e kësaj skuadre dhe secili më i mirë se tjetri. Shpend Matoshi, Fisnik Hasanaj, Arben Buqaj, Hekuran Kryeziu, Bujar Lika, Haxhi Neziraj dhe Demerali Saliu, tashmë janë pjesë e pandashme e Luzernit U 21.

– “Gati një përbërje vetëm me shqiptarë” e thotë me buzëqeshje Matoshi, duke përfunduar se: ” bashkëpunojmë shkëlqyeshëm ndërmjet vete dhe punojmë një për të gjithë, dhe të gjithë për një! Kemi atmosferë të jashtëzakonshme korrekte në klub dhe kjo është njëra prej arsyeve, pse jemi të lumtur, në këtë mjedis sportiv kaq të organizuar”, ka thënë në fund Matoshi, duke uruar të gjithë futbollistët e Kosovës, të cilët në këtë periudhë padrejtësie po bëjnë çmos për t’i thyer barrierat dhe për t’i afirmuar vlerat futbollistike të popullit shqiptar./bs

SHPËRNDAJE