Policia e Kosovës ka dalë me raport për vrasjen e 35-vjeçares shtatzënë para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, ku kishte shkuar për të kryer lindjen.

Në raportin 24 orësh, Policia e ka cilësuar rastin si “vrasje e rëndë”, derisa ka bërë me dije që i dyshuari është ende në arrati.

“VRASJE E RËNDË- Prishtinë 30.11.2022 – 18:00. Është raportuar se viktima femër kosovare para klinikës së Gjinekologjisë në QKUK është qëlluar me armë zjarri nga një peron i dyshuar dhe si pasojë ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilës e ka konstatuar mjeku. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe prokurori kujdestar me urdhrin e të cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Nga njësitë policore në disa lokacione është kërkuar i dyshuari por deri tani nuk është hasur. Rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente policore”, thuhet në raport.

Ndryshe, një patrullë e Policisë po qëndron te shtëpia e familjes së Hamide Magashi, shtatzënës 35-vjeçare që u vra mbrëmë para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, ku kishte shkuar për të kryer lindjen. I dyshuar për vrasjen është ish-burri i saj, Sokol Halili, i cili ndodhet ende në arrati.

Gazetarja e Express, Merita Miftari, po qëndron të shtëpia e familjes së viktimës në Llugaxhi të Lipjanit, prej ku raporton se ka parë edhe familjarët, të cilët janë në gjendje shumë të rëndë emocionale.

SHPËRNDAJE