2016-02-21_11-09-37Nga Elida Buçpapaj

Në vitin 1955 në një qytet të SHBA nisi Montgomery Bus Boycott, – Bojkoti i Autobuzëve në qytetin Montgomery – kur luftëtarja e të drejtave civile Roza Parks ishte e para grua afrikane që refuzoi një ligj segregues kundër popullsisë negre, sipas të cilit, kush ishte negër duhej të ulej vetëm në fund të autobusit, ndërsa të bardhët vetëm në krye, pra ligji ishte linçues dhe racist, diskriminues dhe antinjerëzor.  Protesta Montgomery Bus Boycott nisi prej 1 dhjetorit 1955 kur u arrestua Roza Parks dhe zgjati 382 ditë deri më 20 dhjetor 1956, kur Gjykata Supreme e SHBA deklaroi se ligji segregues në Montgomery të shtetit Alabama ishte antikushtetues. Në këtë protestë u përfshinë figura si Martin Luther King Jr. dhe Ralph D. Abernathy.

Mua sot Albulena Haxhiu më duket Roza Parks e Kosovës e shekullit XXI.

Përse e krahasoj Albulena Haxhiun me Roza Parks?

Mos t’iu duket absurde kritizerëve kokëboshë. Roza Parks kërkonte barazi racore, sepse ajo dhe gjithë popullsia negre në Alabama, dënohej me ligj nëse dikush prej tyre guxonte të ulej në rradhët e para të autobusit, të privilegjuara vetëm për të bardhët.

Albulena Haxhiu, e linçuar dhe poshtruar nga një shtet barbar që ndërmerr veprime të krahasueshme me inkuizicionin kundër një gruaje-deputete të opozitës, e cila nuk bën gjë tjetër veç mbron votën e lirë, sepse qeverisja aktuale e Kosovës nuk e gëzon mbështjetjen e shumicës.

Kur Roza Parks protestoi, ishte rreth 42 vjeçare, ndërsa Albulena vetëm 28 vjeç. Albulena i takon gjeneratës së re të Kosovës, ajo është një nënë e re, e diplomuar për drejtësi, që do të thotë se i njeh mirë ligjet dhe se si funksionon demokracia në një shtet demokratik. Albulena Haxhiu është proamerikane! Sepse kërkon një Kosovë të lirë dhe demokratike!

Si Roza Parks ashtu dhe Albulena protestojnë kundër një padrejtësie. Roza Parks kundër një ligji segregues racor, ndërsa Albulena Haxhiu kundër një qeverisje që nuk gëzon mbështetjen e popullit të Kosovës, pasi elektorati që votoi partinë e Isa Mustafës, votoi kundër Hashim Thaçit.

Albulena Haxhiu proteston kundër një regjimi të kalbur, segregues ndaj shumicës, të mbetur të papunë e të pashpresë, të mbetur të ekskomunikuar si nga qeverisja e korruptuar ashtu edhe nga EU, pasi Perëndimi luan me dy standarde, këtej mbështet Hashim Thaçin, andej diskriminon popullin e Kosovës, që vuan pasojat e keqqeverisjes prej mospërmbushjes së reformave prej qeverive të Hashim Thaçit. BE nuk ia ndalon  Hashim Thaçit të përfitojë nga Marrëveshja Shengen, përkundrazi e privilegjon, por ia ndalon popullit të vuajtur të Kosovës, ashtu si dikur negërve të shtetit të Alabamës u ndalohej të uleshin në vendet e privilegjuara për të bardhët. Prandaj e krahasoj Albulena Haxhiun me Roza Parksin. Sepse populli i Kosovës po diskriminohet dyfish!

Albulena Haxhiu proteston në mbrojtje të votës të lirë, sepse qeverisja aktuale në Kosovë nuk ka legjitimitet.

Le të kujtojmë zgjedhjet e vitit 2001 në SHBA midis George W. Bush dhe Al Gore se si u luftua për votën e lirë! Ndërsa deputetët e LDK-së, partia që mban në pushtet Hashim Thaçin, e kanë keqpërdoruar votën e elektoratit, duke i shkelur premtimet dhe parimet e demokracisë. Deri sa të zbatojnë urdhërat e Isa Mustafës, maxhordomit të Hashim Thaçit, ata janë deputetë kukulla dhe mandati i tyre nuk është legjitim.

Unë personalisht, ashtu si e kam shprehur, jam kundër mjeteve të dhunës,  por jam edhe kundër indiferencës të Perëndimit dhe pres një reagim adeguat të SHBA. Unë jam pro SHBA dhe qeverisja aktuale e Kosovës është antiamerikane, sepse qeveris pa asnjë standard demokratik, duke filluar prej abuzimit me votën e lirë të popullit të Kosovës.

Të jesh proAmerikane, do të thotë edhe të jesh kundër Isa Mustafës, por sidomos do të thotë të jesh në mbrojtje të drejtave legjitime të njeriut, ku e drejta e  votës është një e drejtë kushtetuese dhe kush e shkel legjitimitetin e saj, meriton të dalë përpara drejtësisë. Deputetët e LDK-së janë me legjitimitet të shkelur, sepse ata nuk janë votuar të hyjnë në aleancë me Hashim Thaçin.

Unë jam me Albulena Haxhiun, ashtu si isha edhe me Donika Kadën, ashtu si jam edhe me Vjosa Osmanin, Doruntina E. Malokun, Donika Gërvallën etj.etj. sepse gratë dhe vajzat e Kosovës janë sot shembulli i moralit qytetar dhe angazhimit të tyre pro-Perëndimor për ta shpëtuar Kosovën nga kjo kalbësirë që ka fytyrat e qeveritarëve aktualë,  të cilët në fillim të milenarit të tretë po marrin vulën edhe si linçues të grave dhe vajzave të Kosovës.

Prandaj e lus Presidenten e Kosovës, të heqë dorë nga rruga më e shkurtër e konformizmit dritëshkurtër, që i siguron lluks, por jo përkrahjen e popullit të Kosovës. Duke përfaqësuar si institucion unitetin e sovranit në Kosovë, zonja Jahjaga duhet t’i dalë në mbrojtje Albulena Haxhiut, e ka për detyrim që ta mbrojë nga ky inkuizicion që rrjedh prej qeverisjes së zhytur në krim e korrupsion duke uzurpuar pushtetin e popullit.

SHPËRNDAJE