Në takimin për çështjen e dinarit në Bruksel, kryenegociatori serb, Petar Petkoviq ka thënë para gazetarëve se Prishtina nuk ka treguar vullnet për të arritur një kompromis.
Petkoviq tha se pret një ftesë të re brenda 10 ditëve nga emisari evropian po për këtë çështje.
“Ne kemi përsëritur propozimin tonë të balancuar, që nënkupton një zgjidhje të balancuar. Ne kemi një takim tjetër për këtë, do të shohim se si do të zhvillohen gjërat,” u tha Petkoviq gazetarëve në Bruksel dhe njoftoi se për rreth 10 ditë ai pret një ftesë të re nga I dërguari special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak për çështjen e dinarit.
Në Bruksel, më 25 mars, pati përfunduar pa marrëveshje takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit si mjet pagese me para në dorë, është i ndaluar në Kosovë që nga muaji i kaluar.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha atë ditë se mendon që ka nevojë edhe për një takim shtesë për çështjen e dinarit serb, pas takimeve që zhvilloi me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Ne tentuam të afroheshim, por si duket ka nevojë për një takim shtesë, ndoshta Lajçak do të ofrojë që ai të mbahet javën e ardhshme”, tha Bislimi.
Takimi i sotëm ishte i dyti në javët e fundit mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, ndërsa i treti në përgjithësi për këtë çështje në Bruksel.