Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri aktual i Qeverisë së Kosovës në mënyrë krejtësisht informale është angazhuar për unifikimin e pozicionit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni, raporton INA.

Ish-presidenti i Kosovës, Pacolli së fundi në Shkup është takuar me krerët e partive kryesore shqiptare Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, duke i kërkuar atyre bashkëpunim të gjerë në kuadër të formimit të qeverisë së re dhe jetësimit të kërkesave të shqiptarëve.

Pacolli e kishte marrë këtë angazhim, thonë burime partiake shqiptare në Shkup, që nga koha kur vizitoi Maqedoninë në cilësinë e presidentit të Kosovës.

Dy partitë shqiptare BDI dhe PDSH kanë vlerësuar dhe mirëpritur angazhimin e zotit Pacolli për përmirësimin e mëtejshëm të klimës midis faktorit shqiptar. Mes partive kryesore nuk ka patur prej kohësh sulme reciproke në publik. Megjithatë nga ana e stafit të zotit Pacolli nuk ka asnjë konfirmim për atë që ka ndodhur.

Në përgjithësi faktori politik i Kosovës ka mbajtur qëndrime preferenciale ndaj partive politike në Maqedoni, ose me njerin, ose me tjetrën parti.

Kohët e fundit madje, partitë opozitare shqiptare në Maqedoni kritikuan presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila gjatë ditëve të fushatës u takua në Tetovë vetëm me krerë të BDI-së, gjatë një vizite që u quajt private.

SHPËRNDAJE