Dhoma e Përfaqësuesve është gati për procedurën e shkarkimit të presidentit, Donald Trump, më 13 janar, për rolin e tij në nxitjen e një turme për të sulmuar Kongresin javën e kaluar, derisa çarjet brenda Partisë Republikane po thellohen për shkak të krizës politike.

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, tha më 12 janar se ai nuk do ta vë në zbatim Amandamentin e 25-të të Kushtetutës për të larguar Trumpin nga detyra. Deklarata e tij u bë pak para se Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët të miratojë një rezolutë që i bën thirrje ekzekutivit të përdorë kompetencat kushtetuese për të larguar Trumpin nga detyra.

Nëse Pence nuk e largon Trumpin si të paaftë për të kryer detyrat e tij, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se ligjvënësit kanë në plan ta shkarkojnë Trumpin, sa më shpejt.

“Me vetëm tetë ditë të mbetura në mandatin e presidentit, ju dhe grupi i demokratëve po kërkoni që kabineti dhe unë të përdorim amendamentin e 25-të”, shkroi Pence në një letër drejtuar Pelosit.

“Unë nuk besoj se një mënyrë e tillë veprimi është në interesin më të mirë të kombit tonë ose në përputhje me Kushtetutën tonë”, shkroi ai.

Demokratët planifikojnë të fillojnë procesin e shkarkimit të presidentit – e cila është ekuivalente me një padi – nën akuzën e “nxitjes së kryengritjes” për rolin e tij në sulmin e turmës ndaj Kongresit më 6 janar, që tronditi kombin dhe la pesë njerëz të vdekur, duke përfshirë një oficer policie.

Drejtuesi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, i cili thotë se ai është kundër procesit të shkarkimit, thuhet se do të lejojë anëtarët republikanë të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre, ndërsa partia përpiqet të gjejë drejtimin e saj.

Ndër aleatët më të afërt të Trump në Kongres, McCarthy ishte midis atyre që i bëri jehonë presidentit, duke thënë “procesi i shkarkimit në këtë kohë do të kishte efektin e kundërt të bashkimit në vendin tonë”.

Procesi i shkarkimit pritet të tërheqë mbështetjen e disa republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, duke përfshirë kongresisten, Liz Cheney.

Në një deklaratë më 12 janar, kongresistja tha se Trumpi “thirri turmës, e mblodhi atë dhe ndezi flakën e këtij sulmi”. Ajo sugjeroi që Trump mund të kishte ndërhyrë për të ndaluar mbështetësit e tij, por ai nuk e bëri.

“Asnjëherë nuk ka pasur një tradhti më të madhe nga një president i Shteteve të Bashkuara ndaj zyrës së tij dhe betimit për Kushtetutën”, tha Cheney.

Edhe pse procesi i shkarkimit është pothuajse e sigurt se do të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve, masa nuk pritet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave në Senat, të nevojshme për ta shkarkuar atë.

Në një zhvillim që do të ndryshonte në mënyrë dramatike rezultatin, The New York Times raportoi se udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell u tha bashkëpunëtorëve se ai beson se Trump bëri një shkelje dhe se ai mbështet lëvizjen e demokratëve.

McConnell beson se përpjekja e shkarkimit do ta bëjë më të lehtë spastrimin e presidentit nga partia, tha Times.

Më herët më 12 janar, Trump mohoi çdo përgjegjësi për dhunën e javës së kaluar dhe i quajti përpjekjet për ta shkarkuar atë një “vazhdim i gjuetisë së shtrigave”.

Ai tha se përpjekjet për ta hequr atë nga posti ishin “duke shkaktuar një rrezik të jashtëzakonshëm për vendin dhe po shkaktojnë zemërim të jashtëzakonshëm”.

Ai u tha gazetarëve se “unë nuk dua asnjë dhunë.”

Gjatë një vizite në kufirin SHBA-Meksikë, Trump tha se “tani është koha që kombi ynë të shërohet dhe është koha për paqe dhe për qetësi”.

Pak përpara trazirave të 6 janarit në Kongres, Trump mbajti një fjalim të zjarrtë duke u bërë thirrje mbështetësve të marshonin në drejtim të ndërtesës.

Fjalimi u zhvillua derisa një sesion i përbashkët i Kongresit do të mblidhej për të numëruar dhe certifikuar zyrtarisht votat e Kolegjit Zgjedhor që do të konfirmonin humbjen e tij ndaj presidentit të zgjedhur, Joe Biden, në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka paralajmëruar për “protesta të armatosura” përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, më 20 janar.

Agjencia federale e zbatimit të ligjit tha se “protestat e armatosura” mund të planifikohen në të 50 kryeqytetet e shteteve dhe në ndërtesën e Kongresit, nga data 16 janar deri së paku më 20 janar.

Trump, i cili thotë se nuk do të marrë pjesë në inaugurim, ende kundërshton rezultatin e zgjedhjeve. Mes shqetësimeve për dhunë të mundshme në ditën e inaugurimit, në një lëvizje të pazakontë, udhëheqësit e lartë të ushtrisë lëshuan një qarkore për të gjithë anëtarët e shërbimit, duke e quajtur trazirën në Kongres një veprim anti-demokratik, kriminal dhe se e drejta për fjalën e lirë askujt nuk i jep të drejtë kryej dhune. Memorandumi gjithashtu u kujtoi anëtarëve ushtarakë që Joe Biden u zgjodh president i ardhshëm në mënyrë të rregullt.

SHPËRNDAJE