Përderisa përpiqet që me çdo kusht të marrë besimin e partive opozitare për t’i nisur bisedimet me Qeverinë e Serbisë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duket se ka problem me konsensus të brendshëm të partisë së tij. Është nënkryetari Fatmir Limaj, i cili ia ka prishur “busullën” kryeministrit kosovar, me qëndrimin e tij kundër dialogimit me ish-zyrtarët e Miloshevicit.

Ky qëndrim i Limjat ka shkuar në një segment me qëndrimin e dy partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje. Këto dy parti janë deklaruar kundër bisedimeve me Serbinë, duke i konsideruar ato të dëmshme për vendin dhe me pasojë fatale për veriun, shkruan “Zëri”.

Ndërkaq, analistët në Prishtinë e konsiderojnë demagogji kërkesën e kryeministrit Thaçi për konsensus të përgjithshëm kur nuk e ka konsensusin e brendshëm.

Deputeti Limaj, i cili ka kohë që shprehet kundër politikave të caktuara të cilat është duke ndjekur shefi i partisë së tij, gjatë një tubimi në Kleçkë të Malishevës, është shprehur ashpër kundër bisedimeve me Serbinë.

“Nuk duhet të ketë bisedime me trashëgimtarë të politikës së Milosevicit. Me Serbinë punët janë kryer në vitin 1999. Kosova e ka përcaktuar fatin e saj dhe nuk kemi nevojë të bisedojmë me Nikolicin”, thënë Limaj.

Por pavarësisht nga kjo për drejtuesit e PDK-së, në këtë subjekt politik ka unitet të plotë për bisedimet me Serbinë.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci i ka thënë “Zërit”, se është e vështirë të zbërthehet deklarata e Limajt, ndërsa ka theksuar se partia më e madhe në vend asnjëherë nuk ka qenë pro izolimit.

“Përcaktimi i PDK-së është për unitetin e brendshëm”, ka thënë shkurt Grabovci.

Sipas tij, Kosova duhet të ketë bisedime me Serbinë, por ato, nuk duhet të trajtojnë çështje të brendshme të vendit, siç është veriu.

SHPËRNDAJE