Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas nënshkrimit të marrëveshjeve Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, raporton Gazeta Express.
Sipas partisë që udhëhiqet nga Kadri Veseli, delegacioni i Kosovës e ka humur shansin për marrëveshje finale që siguron njohjen e ndërsjelltë dhe ulësen në OKB.
“Partia Demokratike e Kosovës e sheh me shqetësim të madhë shansin e humbur nga delegacioni kosovar për marrëveshje finale të njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë që duhej të ndodhte sot në Ëashington. Çdo marrëveshje e nënshkruar në këtë mënyrë, pa transparencë, që nuk ka njohje të ndërsjellë, krijon shqetësim dhe pasiguri. Aq më tepër, deri në këtë moment, nuk është bërë publike përmbajtja e marrëveshjes”, thuhet në reagim.
“PDK-ja që nga fillimi ka qenë e bindur se përfshirja e SHBA-së në procesin e përmbylljes së dialogut mes Kosovës e Serbisë është e domosdoshme, por marrëveshjet që nuk parashohin njohje të ndërsjellë, nuk ofrojnë zgjidhje të problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Për më tepër, është edhe më e rëndë në qoftë se ka cënim të Kushtetutës, sovranitetit dhe interesave strategjike të Kosovës. Nuk ka negociata me territore e as me pasurinë tonë kombëtare. Qëndrimi i PDK-së ka qenë dhe mbetet, se në Uashington dhe Bruksel të shkohet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë që garanton njohje të ndërsjellë, ulësen në OKB dhe nuk e cënon integritetin territorial të vendit”, thonë nga PDK’ja.