TIRANË- Ish-deputeti i Partisë Demkratike, Oerd Bylykbashi i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të sqarojë të vërtetën e deklaratës së tij se është arrestuar në Itali, nëse e ka bërë për propagandë ajo jo.

Nga selia blu, ish-deputeti sjell në vëmendje rastin e dy ish- deputetëve Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica të cilët humbën funksionet e tyre pikërisht se nuk kishin deklaruar në formularin e dekriminalizimit arrestimin. Ai u bën thirrje institucioneve që të nisin hetimet dhe nëse vërtetohet një arrestim  i tillë, për të cilin Rama nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit, duhet të zhvishet nga të gjitha postet shtetërore.

“Ne mes te hallit që ka zënë të gjithë, kur njerëzit janë mbyllur në shtëpi dhe shpesh nuk kane mundësi të sigurojnë bukën e fëmijëve, apo biznesi u është mbyllur, Rama deklaroi në median italiane se vite me parë është arrestuar në Bolonja sepse kishte kundërshtuar një punonjës policie. ‎Ka një problem të madh me këtë deklarim: është arrestuar nga policia. Kryeministri NUK e ka deklaruar këtë arrestim në formularin e Dekriminalizimit! Në rast mosdeklarimi ligji dikton se ai humbet të gjitha funksionet publike. Edhe si deputet edhe si kryeministër! Ligji i Dekriminalizimit i kaluar me shumicë të cilësuar nuk pezullohet me akt normativ as ne kohe lufte apo pandemie. Sa për t’ia kulluar mendimet Kryeministrit, dy deputete janë larguar nga parlamenti për kaq gjë. Thjesht sepse nuk deklaruan arrestin. Edi Rama duhet te sqaroje urgjentisht nëse ka gënjyer për propagande se është arrestuar ne Bolonja pasi kundërshtoi një punonjës policie, në të kundërt institucionet duhet të nisin menjëhere procedurën e parashikuar nga Ligji i Dekriminalizimit për mosdeklarim në formularin e Dekriminalizimit të arrestimit nga policia”, shprehet Bylkbashi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili e ka komentuar këtë deklaratë me nota ironie. 
“O Zot të lutem në gjunjë t’u japësh pak vaj për kandilin e trurit, se u është fikur krejt e nuk dinë ç’nxjerrin nga terri i gojës! Unë flas me mediat italiane për racizmin antishqiptar në Itali gjatë viteve ’90, duke sjellë shembull një sherr me një polic në aeroport, po këta?! Këta flasin për formularin e dekriminalizimit ku s’paskam deklaruar ndalimin nga policia! O Zot pse nuk e pate mendjen kur i krijove këta, po i le si karabina pa mure, pa elektrik, pa ujë?! Ndërhyr Zot i madh se gjynah këta, po gjynah edhe ky popull që çfarë nuk dëgjon prej tyre”, shkruan Rama. 

SHPËRNDAJE