Munir Basha: Ferid Agani e shkatërroi partinë

Nënkryetari i kontestuar dhe kryetari i degës së Prizrenit, degës më të fuqishme të PD-së, Munir Basha, ka thënë se fajtori kryesor për krizën në të cilën gjendet tani Partia e Drejtësisë, është falë karakterit narcizoid dhe përjashtues të Ferid Aganit.

Basha për Indeksonline ka thënë se Partia e Drejtësisë, edhe pse në muajt e fundit të vitit të kaluar ka organizuar kuvende zgjedhore, si nëpër degë ashtu edhe në qendër, është duke përjetuar krizën më të thellë si në aspektin organizativ ashtu edhe në aspektin e identitetit të saj politik.

Sipas tij, Agani po krijon huti të madhe në opinion dhe në elektoratin e partisë, në mënyrën se si po menaxhon me PD-në.

“Kjo u vërehet më së miri edhe me përplasjet e fundit me degët e Lipjanit dhe të Fushës Kosovës, ku këmbeheshin akuzat e reciproke mes Agani dhe udhëheqëseve të degëve në fjalë” ka thënë Basha për Indeksonline.

Degët e akuzonin Aganin për mosangazhim në realizimin e objektivave programore të PD-së, si parti e cila tanimë është pjesë e qeverisë, e ai u kundërpërgjigjej se votat e elektoratit nuk i ka marrë për implementimin e edukatës fetare në shkolla publike apo të siguroj drejtën e mbajtjes së shamisë.

Fatkeqësisht, siç shprehet Basha, përgjegjësinë për këtë situatë kritike në PD, kjo udhëheqësi nuk është e gatshme dhe nuk dëshiron ta merr.

Përkundrazi, thotë Basha, mundohet të prezantoj opinionit se çdo gjë në PD është duke lulëzuar, si një renesancë e vërtet.

“Për Aganin ishte me rëndësi të bëhet ministër. Jo vetëm votuesit e PD-së, por edhe opinion i gjerë kosovar e din, se ai për të arritur këtë qellim nuk ka hezituar fare që të instrumentalizoj si fenë ashtu edhe besimtaret. E, tash kur e kaloi lumin, natyrisht që nuk pyetet me kali. Por, se Agani e ka gabim, fatmirësisht, shpejt u vërtetua” ka thënë më tej Basha për Indeksonline.

Ai më tej ka folur edhe për humbjen në zgjedhjet në Ferizaj.

“Nerodima ishte e pakalueshme për Aganin. Ishte e tillë sepse ‘kali’ u vetëdijesua. Edhe përkundër investimeve marramendëse për standardet e PD-së /15.-20.000,-euro/, edhe përkundër investimit të autoritetit nga ministri, rezultati në Ferizaj ishte, sa dëshpërues, aq edhe indikativ” ka thënë Basha.

Sipas tij, në zgjedhjet e fundit lokale në Ferizaj, ndoshta as me 500 euro është arrit 840 vota, nëse nuk jam gabim, ndërsa kësaj here me investime të lartcekura u arrit vetëm 700 vota.

Ferizaji, thotë Basha, ishte përgjigjja më konkrete dhe me indikative se çfarë perspektivë ka PD-ja me Ferid Aganin.

Më tej, Basha ka thënë se nëse shikojmë në retrospektivë, të gjitha këto ngjarje të dëmshme për perspektiven e Partisë nuk do të ndodhnin po të kishin marrë parasysh kërkesat e asokohe për demokratizimin e brendshëm të Partisë si dhe profilizimin e mirëfilltë të saj .

“Këto ishin kërkesa baze të degëve të PD-së në Prizren dhe Therandë, dhe jo vetëm të këtyre degëve. Përgjigjja në këto kërkesa, dinë shumë mirë opinioni, ishte largimi dhe anatemimi i këtyre degëve. Përgjigjja konkrete e Aganit për demokratizim ishte autokratizmi si formë e sundimit, ndërsa përgjigja e tij për profilizim të Partisë ishte instrumentalizimi i fesë dhe besimtarëve drejt pushtetit” ka thënë Basha.

Ai ka thënë se është koha e fundit që të kërkohet një rrugëdalje nga ky labirinth në të cilën e ka fut PD-në Agani.

“Natyrisht, ne si degë më masovike dhe më e organizuar në nivel vendi, nuk do të rrimë duarkryq kundrejt kësaj gjendjeje të imponuar.Aktualisht jemi duke u konsultuar me strukturat tona dhe me personalitete dhe intelektuale relevant të afërt me konceptin politik konservativ. Të gjithë indikatorët na tregojnë se nisja e një alternative të mirëfilltë konservative është imperativ i kohës dhe momentit në të cilin gjendemi” ka thënë Basha.

Basha konsideron se në Kosovë natyrshëm ekziston një shtresë e konsiderueshme e qytetareve të cilët kultivojnë vlerat e mirëfillta të traditës sonë kombëtare dhe fetare.

Prandaj sipas tij, edhe ekzistimi i një subjekti politik konservativ është i natyrshëm dhe ka perspektive, nëse punohet me përkushtim dhe profesionalizëm dhe, para se gjithash, pa i ngatërruar konceptet./Indeksonline/

SHPËRNDAJE