Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka ftuar zyrtarisht opozitën për tu bërë pjesë e delegacionit shtetëror në vizitën treditore në Kosovë. Konfirmimi vjen nga sekretarja e përgjithshëm e kreut të shtetit, Bardha Spahia. Por Partia Socialiste e kishte refuzuar ftesën e Nishanit për tu bërë pjesë e delegacionit.

Ajo ka bërë të ditur se ftesa i është dërguar zyrtarisht kreut të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, për emrin e deputetit të Kukësit, Asllan Dogjani, nisur nga fakti se në delegacionin e kreut të shtetit bënte pjesë vetëm deputeti i PD-së së Kukësit, Fatos Hoxha.

Kjo zgjedhje shpjegohet nga Spahia me faktin se vizitën e parë jashtë Tiranës, Presidenti Bujar Nishani do ta bëjë pikërisht në qytetin e Kukësit dhe që është një zonë shumë pranë kufirit me Kosovën.

Por sekretari i përgjithshëm i Presidentit ka sqaruar më tej se deputeti i PS-së refuzoi të merrte pjesë në vizitën treditore të Presidentit në Kosovë.

Ky shpjegim i Presidencës hedh poshtë aludimet e PS-së se kreu i shtetit i dërgoi ftesë me ‘sms’ opozitës për tu bërë pjesë e delegacionit shtetëror në Kosovë.

Mësohet se në mungesë të marrjes së një përgjigjeje, Presidenca nuk përfshiu më pas në delegacionin zyrtar asnjë deputet të opozitës, transmeton INA.

Tre ditë më parë, në njoftimin zyrtar të Presidencës thuhej se Presidenti i Republikës do të kryesonte një delegacion të gjerë zyrtar, në përbërje të të cilit do të ishin edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, ministri i Brendshëm, Flamur Noka, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Fatos Hoxha dhe Presidenti i Unionit të Dhomave të Tregtisë, Ilir Zhilla.

SHPËRNDAJE