Presidenca ka dorëzuar sot në Gjykatë Kushtetuese komentet lidhur me dekretin për nominim të Avdullah Hotit si mandatar për krijimin e qeverisë së re.

Në një njoftim për media nga presidenca kanë shkruar se presidenti e ka nxjerrë këtë dekret pas konsultimit me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, sot ka dorëzuar komentet në Gjykatën Kushtetuese përkitazi me meritat e kërkesës së pretendimeve të parashtruesve të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit nr. 24/2020 të Presidentit të Republikës së Kosovës, dt. 30.04.2020, me të cilin Dekret, sipas propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Avdullah Hoti i është propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e re.

Presidenti i Republikës së Kosovës e ka nxjerrë këtë Dekret pas konsultimit me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe pajtimit të shumicës absolute të tyre për të formuar Qeveri të re”, thuhet në njoftim, derisa kanë shtuar se është vepruar sipas kompetenave.

“Si përfaqësues i unitetit të popullit dhe garantues i funksionimit demokratik dhe kushtetues të institucioneve, Presidenti përmes nxjerrjes së Dekretit nr. 24/2020 ka vepruar në kuadër të kompetencave të tij të përcaktuara me Kushtetutë dhe sipas standardeve të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO103/14”, thuhet në njoftim.

SHPËRNDAJE