Kryetari i VMRO-DPMNE dhe njëherit kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, gjatë takimit të sotëm me kreun e opozitës maqedonase, Branko Cërvenkovski ka propozuar shpërbërjen e Parlamentit më 31 mars.

Nga ana e VMRO-DPMNE-së, siç informojnë përfaqësues të saj, në takim është propozuar agjendë komplete me masa dhe aktivitete të cilat duhet të ndërmerren gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa është në pajtim me kërkesat dhe kushtet e opozitës që praktikisht paraqet edhe pranim i kërkesave legjitime nga opozita.

Nesër në seancë të Kuvendit duhet të zgjidhet kryetari i KSHZ-së me çka nënkuptohet dhe pritet që opozita të kthehet në Kuvend dhe të votojë për propozimin e saj. Nëse LSDM-ja nuk kthehet në Kuvend, nuk përjashtohet mundësia që shumica vetëm ta zgjedhë kryetarin e KSHZ-së.

VMRO-DPMNE-ja propozon që nesër të miratohen edhe ndryshimet e Kodit zgjedhor në pajtim me kërkesat e LSDM-së, gjegjësisht rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-së. Sipas kornizës kohore të VMRO-DPMNE-së, nesër duhet të formohet edhe komision për konfirmim të gjendjes me Kodin zgjedhor, me ç’rast për VMRO-DPMNE-në është e pranueshme që edhe kryetari i këtij komisioni të jetë nga LSDM-ja. Ky komision më 26 mars ta kryejë punën e vet dhe të dorëzojë raport deri te Kuvendi, ndërsa po i njejti raport më së voni deri më 30 mars të pranohet.

Në këtë plan VMRO-DPMNE-ja propozon që Kuvendi të shpërbëhet më 31 mars të vitit 2011.

Gjatë bisedimeve të deritanishme është hapur çështja për Kodin zgjedhor, me ç’rast LSDM-ja ka qëndruar në kërkesat e njejta, ndërsa parakushti për zhbllokim të llogarive të mediumeve nga “Pero Nakov” p.n. tani po bëhet kusht.

Ata kërkojnë që në Kodin zgjedhor të futen rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-së, propozimet që ata i kanë dhënë në Propozimin e tyre për ndryshime të Kodit zgjedhor të dërguara deri te Kuvendi më 5 shtator vitin e kaluar, në të cilat janë përfshirë kuotat e garantuara për bashkësitë më të vogla etnike dhe këshillat zgjedhorë të përbëhen nga anëtarë të partive.

Gjithashtu, i kanë theksuar edhe kërkesat e tyre lidhur me votimin e diasporës. Siç informojnë nga LSDM-ja, ata do të kthehen në Kuvend vetëm në qoftë se pastrohet Lista zgjedhore, miratohen ndryshimet e Ligjit zgjedhor dhe miratohet ligji ose kodeksi për rregullim të punës së mediave lidhur me ndarjen e fushatave qeveritare, si dhe kushti i lidhur me mediat nga “Pero Nakov”.

SHPËRNDAJE