Parlamenti Evropian përmes një rezolute dënoi sulmin terrorist në Kosovë më 24 shtator të vitit të kaluar, teksa bëri thirrje që autorët të mbahen përgjegjës dhe të përballen me drejtësinë.
PE i ka bërë thirrjet Komisionit dhe Këshillit Evropian të marrin masa në rast se del që shteti serb ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në këtë akt agresioni ndaj Kosovës, apo siç potencohet edhe në sulmet e dhunshme që ndodhën në veri të vendit në maj të vitit të kaluar.
“(Paralamenti Evropian) dënon sulmin terrorist të kryer më 24 shtator 2023 kundër Policisë së Kosovës në Banjskë në veri të Republikës së Kosovës dhe provokime të tjera; rithekson pozicionin e tij siç është miratuar në rezolutën e 19 tetorit 2023 ; u bën thirrje të gjitha palëve, në këtë kontekst, të punohet për të depërshkallëzuar situatën dhe për të shmangur çdo retorikë apo veprim që mund të çojë në tensione të mëtejshme; (Parlamenti Evropian) po ndjek nga afër hetimet në vazhdim dhe rithekson se autorët përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të përballen me drejtësinë; i bën thirrje Komisionit dhe Këshillit të marrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet zbulojnë se shteti serb ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në sulmin e lartpërmendur apo sulmet e dhunshme që ndodhën në veri të Kosovës në maj 2023, ose nëse autoritetet serbe nuk janë të gatshme të bashkëpunojnë plotësisht”, thuhet në këtë rezolutë.
Parlamenti Evropian po ashtu paralajmëroi Kosovën e Serbinë për pasoja, nëse mungon zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Besueshmëria e Bashkimit Evropian dëmtohet nga mungesa e suksesit në dialogun Kosovë-Serbi, theksohet në rezolutë, duke i bërë thirrje BE-së, që ta ndryshojë qasjen në dialog në mënyrë që të ketë përparim.
Aty po ashtu bëhet thirrje për heqjen e menjëhershme të masave ndaj Kosovës.