http://www.botasot.info/img/opozita-kuvend.jpgMegjithëse për nga numrat përbëjnë opozitën më të fuqishme ndër të gjitha legjislaturat e deritashme, tri partitë aktuale opozitare, LDK, AAK dhe Vetëvendosje, vazhdojnë të mos e shfrytëzojnë këtë fuqi, duke pasur qëndrime tërësisht të ndryshme në çështjet më të rëndësishme për shtetin. Secila prej këtyre tri subjekteve, veten e konsideron më opozitë konstruktive se tjetra, përderisa Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të sillet si opozitë jo vetëm karshi pozitës, por madje edhe ndaj vetë dy partive tjera opozitare.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) si subjekti më i madh opozitar, konsideron se po e kryen mjaft mirë dhe me konstruktivitet detyrën e saj si parti lidere e opozitës.

Deputeti i kësaj partie, Lutfi Haziri kujton me këtë rast çështjen e ish presidentit Behgjet Pacolli, të cilën LDK-ja e ka ngritur në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se me këtë hap, LDK-ja e ka detyruar kryeministrin që ta rishikojë agjendën elektorale.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka shprehur interesimin e tij për ta forcuar pozicionin e opozitës, duke pasur një qëndrim më unik të tri subjektet opozitare.

Ai ka thënë se duke qenë opozitë e fuqishme, edhe pushteti do të korrigjohet më mirë në veprimet e dëmshme që mund t’i bëjë vendit dhe po ashtu ta synojë pushtetin në të ardhmen.

Megjithatë, i pyetur nëse LDK-së si subjekti më i madh opozitar i takon që ta mbledh rreth vetes opozitën, Isufi ka thënë se numrat nuk janë gjithmonë përcaktuesit e liderit opozitar.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta luajë rolin e opozitës brenda opozitës parlamentare.

Glauk Konjufcja nga kjo lëvizje, vlerëson se ndarja pozitë-opozitë në Kosovë është më shumë formale, ngase sipas tij, dy subjektet tjera opozitare në shumë raste kanë qëndrim të njëjtë me pushtetin, gjë që i bën më shumë pozitë se opozitë.

Ndryshe, kërkesa e fundit e Lëvizjes Vetëvendosje për seancë të jashtëzakonshme për veriun e Kosovës, ishte rasti i fundit kur dy partitë tjera opozitare në Kuvendin e Kosovës nuk e mbështeten, duke e dështuar një seancë të tillë.

Pozita dhe opozita në Kuvendin e Kosovës kanë një përqindje shumë të vogël që e ndanë fuqinë e tyre, ngase opozita ka 59 deputetë, 27 të LDK-së, 12 të AAK-së, 12 të Vetëvendosjes dhe 8 pa grup, karshi 61 deputetëve që përbëjnë koalicionin qeverisës, 34 të PDK-së, 12 të SLS-së, 9 të KKR-së dhe 6 të Grupit 6+.

SHPËRNDAJE