Tani më me të drejt shtrohet pyetja se si është e mundur që disa media dhe individë vazhdimisht përpiqen të minimizojnë punën e Federatës së Futbollit të Kosovës? Si mund t’u japin krah të këqijave dhe lajmeve negative, duke u pozicionuar kundër atyre që punojnë për avancimin e futbollit kosovar?
Edhe në rastin e fundit në Kongresin e UEFA-s në Beograd, disa media dolën hapur në krah të Serbisë, duke shfaqur mosbesim ndaj përfaqësuesve të Kosovës dhe duke hapur tema e dilema që as nuk kanë peshë, as nuk i ndihmojnë Kosovës. A kanë këto media një agjendë të shtyrë nga ata që nuk e duan Kosovën të stabilizuar dhe të suksesshme?
Si është e mundur që edhe në këtë ngjarje, e organizuar nga UEFA, ku dihet që respektohen protokolet strikte, disa media dhe analistë të caktuar përpiqen t’i japin një pompë të madhe ngjarjeve, sikur duan t’i japin të drejtë Serbisë edhe kur ajo shtrembëron faktet apo publikon lajme të pavërteta për Kosovën?
Ata justifikohen me konsum të brendshëm për prezencën e Kosovës, por realiteti është se UEFA nuk njeh ndikime të tilla. E gjithë kjo ndodh ndërkohë që Kosova dhe Serbia ende nuk e njohin njëra-tjetrën, nuk kanë marrëveshje të nënshkruar dhe as nuk u lejohet të luajnë ndeshje mes vete, duke qenë praktikisht në një gjendje”lufte”.
Habia më e madhe është se, edhe në këtë rast, një pjesë e mediave tona duket se janë më afër qëndrimeve të Serbisë sesa interesave të Kosovës. Kush po mundohet më shumë ta dëmtojë imazhin e Kosovës dhe FFK-së – Serbia apo disa media e gazetarë kosovarë?
Përfundimisht, pyetja e madhe mbetet: Agjendat e kujt po ndjekin këto media me shtjellimin e temave të caktuara? Sepse duket se një lajm i mirë për Kosovën, një sukses i arritur apo një rezultat pozitiv pothuajse kurrë nuk merr vëmendjen e merituar. Ku jeni nisur, o njerëz? / Futbolli.info